“Shpërndau dokumente konfidenciale”/ Gucati paraqitet në Hagë më 1 tetor

30/09/2020 13:47

Dhomat e Specializuara njoftuan se kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati do të bëjë paraqitjen e parë para tyre në 1 tetor.

Paraqitja e parë do të jetë në formë të seancës publike dhe mund të përcillet edhe përmes video-linkut. Ndërkohë është zbardhur përmbajtja e fletë arrestit të kreut të OVL-së se UCK-së, të arrestuar në 25 shtator.

“Ka dyshim të bazuar se zoti Gucati ka mbajtur tre konferenca për shtyp ne 7, 16 dhe 22 shtator, 2020, ku ka shpërndarë ose ka lejuar qasjen e mediave në informacione dhe dokumente konfidenciale dhe jopublike të cilat kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe nuk ka ndërhyrë kur nënkryetari Nasim Haradinaj ka përmendur emrin e një dëshmitari e ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale”, lexohet aty.

Po në 25 shtator, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu një aksion bastisjeje që zgjati më shumë se tetë orë, u arrestua edhe Nasim Haradinaj, i cili gjithashtu dyshohet per pengim te drejtesise.

Haradinaj bëri paraqitjen e parë para gjykatës nje dite me pare ku përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij se nuk i njeh Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale.

Top Channel