SHBA humbi neutralitetin, vizita e Pompeos acaron Turqinë

30/09/2020 12:35

Shtetet e Bashkuara nuk duken më të paanshme ne mosmarrëveshjet e Mesdheut Lindor, deklaroi zëdhënësi i partisë ne pushtet ne Turqi, Drejtësi dhe Zhvillim.

Vërejtjet e njëanshme të Sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe vizitat e tij të shumta në Greqi apo administratën Greke Qipriote, por jo në palën Turke, tregojnë qartë se SHBA-ja e ka humbur qëndrimin neutral, tha Ömer Çelik.

“Duke shkuar vetëm në anën greke (të Qipros), duke mos vizituar anën turke, ose duke vizituar Greqinë dy herë në muaj, duke dhënë mesazhe të njëanshme, Amerika humbet asnjanësinë e saj dhe nuk jep një kontribut pozitiv në zgjidhjen e këtij problemi, “tha Çelik. Zëdhënësi shprehu megjithatë shpresën se Uashingtoni dhe Pompeo së shpejti do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për këtë çështje.

Pas disa muajsh mosmarrëveshjesh mbi aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve dhe zonave detare në Mesdheun Lindor, Turqia dhe Greqia së fundmi ranë dakord të zhvillojnë bisedime, të 61-tat e këtij lloji, në përpjekje për të dalë me zgjidhje të drejta, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për problemet në Mesdheun Lindor. Bisedime të kësaj natyre, që patën nisur 12 marsin e vitit 2002 vazhduan rregullisht deri në vitin 2016, por që prej atëherë nuk ka pasur më asnjë raund të ri.

Turqia ka kërkuar që në bisedimet e reja të trajtohen një sërë çështjesh shqetësuese për të duke nisur nga ujërat territoriale në Mesdheun Lindor, shelfi kontinental, çmilitarizimi i ishujve, statusi ligjor i formacioneve gjeografike, gjerësia e hapësirës ajrore kombëtare dhe operacionet e kërkim-shpëtimit. Turqia gjithashtu kërkon që temat e shelfit kontinental dhe zonave ekskluzive ekonomike (EEZ) të trajtohen me parime të barabarta.

Top Channel