Përplasjet për Karabakun/ S’ka paqe, palët refuzojnë bisedimet

30/09/2020 13:31

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara I kërkoi forcave armene dhe azere “ të ndalojnë menjëherë luftimet” mbi rajonin e Nagorni Karabakut.

Në deklaratën e miratuar unanimisht nga këshilli prej 15 anëtarësh kërkohet ulja e tensioneve dhe rikthimi ne tryezën e negociatave. Por situata nuk po jep shenja qetësimi. Liderët e të dy vendeve I kanë hedhur poshtë sugjerimet për bisedime paqeje dhe akuzojnë njëri-tjetrin për pengim të negociatave mbi territorin separatist. Tre ditë luftimesh të ashpra kanë shkaktuar deri dhjetëra të vdekur e të plagosur, si në radhët e forcave të armatosura nga të dy vendet, ashtu dhe në mesin e civilëve.

Konflikti vazhdon përshkallëzimin pavarësisht edhe thirrjeve urgjente të Rusisë, SHBA-se e një sërë vendesh të tjera për ndalimin e luftimeve. Konflikti ka ngjallur shqetësime mbi stabilitetin në të gjithë rajonin e Kaukazit Jugor, ndërsa rrezikon të tërheq edhe Ankaranë e Moskën. Të dyja palët akuzojnë njëra tjetrën për të shtëna brenda territorit të tyre pranë zonës së Nagorni Karabakut të martën. Armenia pretendon se në këtë mes është përfshirë Turqia që mbështet Azerbajxhanin, por kjo e fundit thotë se nuk ka gisht në këtë konflikt.

Top Channel