Opozita bojkoti mbledhjes së Reformës/ Kërkon në rendin e ditës propozimin e PD-LSI për listat

30/09/2020 15:01

Opozita parlamentare bojkotoi komisionin e ligjeve ku rinisi diskutimi për amendimet e kodit zgjedhor.

Rudina Hajdari tha se: “nuk shohim vullnet pozitiv nga mazhoranca për të realizuar atë reformë madhore për hapjen reale dhe 100% të listave.

Sipas Rudina Hajdarit, “nëse mazhoranca do të vazhdojë në ketë rrugë, duke ardhur me drafte të cilat nuk synojnë hapjen e listave por mashtrimin e shqiptarëve, ne nuk do të bëhemi pjesë e kësaj loje të shëmtuar, le ta bëjnë vet”.

Supozohej që komisioni parlamentar i ligjeve, pas ultimatumeve të ndërkombëtarëve të gjente në mbledhjen e kësaj të mërkure konsensus për ndryshimet në kodin zgjedhor. Konsensusi u zëvendësua me kërkesa drejtuar Këshillit politik.

Damian Gjiknuri: Unë nuk mendoj që Komisioni i Ligjeve të ndalojë punën, përkundrazi mund të sheshisi shumë gjëra që mund të mos jenë pjesë e debatit politik, për të mbetur vetëm ato pak gjëra që meritojnë kompromis me të madh dhe që natyrshëm do ta shikojmë deri ku do të shkojmë pa cënuar frymën e Kushtetutës për ndryshimin që dikton ajo.

Rudina Hajdari: Shumë mirë zoti Gjiknuri mund të vijë me firmë, të atij propozimi nga  opozita jashtëparlamentare dhe mund ta depozitojë në Komisionin e Ligjeve për të bërë pjesë integrale të këtij dokumenti.

Muslim Murrizi: Që Damiani e kanë kthyer në transportues që nga 14 Janari, tani e kanë gjet komerdare Damianin, dhe Damiani do të fusë këtu një letër që do ta japë nesër ata të Këshillit Politik dhe do të detyroje edhe ju si kryetar komisioni edhe komisionin ta votoni.

Ralf Gjoni: Ju jap mbështjetën time që ta çoni këtë propozim edhe në Këshill Politik, ta diskutojnë ta çertifikojnë edhe ata, dhe ta kthejmë Shqipërinë në një zonë të vetme.

Komisioni pranoi kërkesën e anëtarit Korab Lita që Këshilli Politik të certifikojë dhe sjellë komisionit draft propozimet e opozitës jashtë-parlamentare.

Top Channel