Ndodh edhe kështu! I kërkoi të kandidonte kundër tij, pastruesja i zë “fronin” dhe bëhet kryetare bashkie

30/09/2020 12:15

Ndonjëherë planet ‘dashakeqëse’ nuk dalin ashtu siç planifikohen! Ndoshta, pasi të lexoni se çfarë ka ndodhur në një fshat të Rusisë, do kuptoni se nuk i dihet kurrë se sa ‘i fortë’ është kundërshtari që keni përballë!

Marina Udgodskaya (35-vjeçarja që shihni në foton e mëposhtme), për katër vitet e kaluara ka pastruar dyshemetë dhe zyrat e godinës së bashkisë, në fshatin Povalikhino, në pjesën rurale të Rusisë.

Por gjejeni çfarë?! Tashmë 35-vjeçarja do të ulet në karrigen e kryetarit të bashkisë, pasi fitoi zgjedhjet vendore, me një rezultat që nuk i shkonte aspak në mendje kundërshtarit të saj!

Ligji kërkon që duhet të garojnë minimalisht dy kandidatë. Kundërshtari, Nikolai Loktev, i cili është pjesë e Partisë Bashkimi dhe mbështet presidentin Vladimir Putin, kur asnjë banor i fshatit nuk doli për të garuar kundër kryetarit ai bindi pastruesen që të regjistrohej në garë për ta ‘rivalizuar’.

Por, plani shkoi tmerrësisht shumë keq, pasi qytetarët votuan masivisht për pastruesen, duke i dhënë asaj 64% të votave, e kështu Udgodskaya fitoi zgjedhjet vendore në fillim të muajit shtator.

“Ai mendonte se askush nuk do ta mundte dhe se do të ruante vendin e punës. Por njerëzve u kishte ardhur në majë të hundës dhe zgjodhën Marina Udgodskaya-n”, tha për BBC një pjesëtar i komisionit vendor të zgjedhjeve.

Edhe pse fitoi, Udgodskaya tha se ndihej një kandidate “false” dhe nuk ishte gati për këtë ngritje kaq të madhe në detyrë.

Derisa të marr rolin e saj të ri, Marina thuhet se do të vazhdojë punën e saj si pastruese, ndërsa kundërshtari do të mbledh sendet e tij dhe do të largohet.

“Unë nuk jam i mërzitur”, këmbënguli Nikolai Loktev.

“Njerëzit votuan për të, kështu që le të bëjë punën e saj. Nuk mendoj se ka ndonjë gjë të keqe që ajo të jetë në krye të vendit që pastron. Kjo do të thotë se ajo di të gjitha cepat e bashkisë!”, shtoi ai.

Top Channel