Maduro: Venezuela do të bashkëpunojë me Rusinë e aleatët, për ndërtimin e armëve

30/09/2020 16:35

Presidenti venezuelan Nicolas Maduro ritheksoi sot vazhdimin e bashkëpunimit ushtrak të vendit të tij me Rusinë, Kinën e Iranin për zbatimin e planit të ndërtimit në vend të sistemeve të avancuara të armatimit.

Duke folur në një ceremoni ushtarake në kryeqytetin Caracas, Maduro tha se vendi do të ndërtojë vetë armatimet dhe njoftoi për këtë krijimin e njësisë së veçantë shkencore ushtarake.

“Ne kemi gjithçka për të krijuar sistemet tona të armatimeve dhe duke vazhduar bashkëpunimin me Rusinë, Kinën, Kubën e Iranin do të marrim të gjitha njohuritë ushtarake shkencore e teknologjike,” tha Maduro.

Venezuela ka marrdhënie të vjetra me Kinën e Rusinë teksa Moska është furnizuesja kryesore e armatimeve për Caracas ndërsa Kina është blerëse e naftës krudo prej tij.

Gjithashtu Teherani dhe Caracas kanë krijuar lidhje të vjetra bilaterale në një rang çështjesh si tregtia dhe industria e naftës.

Irani dërgoi katër çisterna nafte në Venezuelë në maj, duke zbutur mangësitë e ndjeshme të karburanteve atje, si dhe një anije me artikuj ushqimorë.

Administrata amerikane e Presidentit Donald Trump ka vendosur kësaj jave një rang të ri sanksionesh ndaj Maduros për bashkëpunimin e tij me Iranin.
Caracas i quajti sanksionet e reja akt “agresioni,” duke thënë se veprimet “arrogante” nuk do të ndikojnë në lidhjet diplomatike të vendit latin.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel