Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, Joe Biden u përballën në debatin e parë televiziv i cili u kthye në një duel kaotik fjalësh mes dy kundërshtarëve të mëdhenj.

Presidenti republikan zor se e lejoi demokratin të përfundonte një fjali pa e ndërprerje në mjaft raste edhe me fyerje direkte, duke u shfaqur njëfarësoj si kandidati dominues. Ndërsa Bideni, edhe pse u përpoq ta ruante gjakftohtësinë, nuk arriti të prodhonte shumë argument të qëndrueshme.

Debati u zhvillua në sallën “Sheila and Eric Samson” në mjediset e universitetit “Case Western” në qytetin Klivland të Ohajos, ndërkohë që mbeten pesë javë deri në zgjedhjet e 3 nëntorit. Ndërprerjet e fjalës, Trump i nisi që në fillim e kjo u përsëriti shumë shpesh më pas, duke acaruar rivalin. Biden e quajti presidentin “ një klloun” e I kërkoi “ të mbyllte gojën”. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i kujtoi abuzimin e djalit të tij me lëndët narkotike.

Trump: Hunter Bidenin e larguan nga ushtria, e shkarkuan pa nder për përdorim kokaine. Përpara se ti të bëheshe zëvendëspresident, ai as punë nuk kishte. Sapo ti more postin, djali yt papritur vuri pasuri në Ukrainë, Kinë, Moskë e disa vende të tjera.

Biden: Im bir ashtu si shume njerëz të tjerë ka pasur një problem me drogën dhe e ka kapërcyer, tani është në rregull dhe unë jam krenar për të.

Më tej, Biden tha se “Presidenti nuk ka plan,” duke folur për reagimin e administratës ndaj pandemisë. “Ai e dinte se ishte sëmundje vdekjeprurëse dhe nuk ju informoi ju (popullin amerikan)”. Trump u shpreh se tubimet e tij për fushatë nuk kanë pasur ndikim negativ tek pjesëmarrësit që nuk ndjekin rekomandimet për distancim fizik. Ai u shpreh se nuk është kundër maskës, duke nxjerrë një maskë nga xhepi dhe duke thënë “Unë vë maskë kur është e nevojshme”. Zoti Biden ka zhvilluar aktivitete më të vogla fushate, ku njerëzit qëndrojnë në distancë fizike nga njeri-tjetri.

Duke e cilësuar presidentin “plotësisht të papërgjegjshëm” në ragimin ndaj COVID-19, zoti Biden tha se presidenti “është budalla në këtë temë” dhe shtoi se zoti Trump mendonte për maskë vetëm kur ishte për interes të tij dhe jo të tjerëve.  Gjatë diskutimit lidhur me temën e vendit bosh në Gjykatën e Lartë, debati devijoi tek COVID-19 dhe presidenti tha, se 2 milionë njerëz do të kishin vdekur nëse Joe Biden do të kishte qenë president gjatë pandemisë. Dy konkurrentët u përpoqën gjithashtu gjatë debatit të tërheqin votën e komunitetit afrikano-amerikan. Në debat, asnjëri prej të dyve nuk kurseu as sulmet që shënjestronin persona të familjes.

Top Channel