Kryeministrja pranon për herë të parë se ka provuar kanabis, gjatë debatit të nxehtë elektoral

30/09/2020 18:17

Kryeminsitrja e Zelandës së Re ka pranuar dje se ka përdorur kanabis në një nga debatet më të nxehta të fushatës së atjeshme elektorale.

Kryeministrja aktuale laburise Jacinda Ardern, u përball me kryetaren e Partisë Kombëtare, Judith Collins në një debat prej një orë e gjysmë, që ishte shumë më i animuar se debati i tyre i parë kokë më kokë, që nga shumë media u quajt “letargjik”.

Kësaj radhe të dyja gratë u detyruan të bënin premtime dhe të pranonin gjëra që nuk i kishin bërë më parë.
Ardern premtonte të shpallë emergjencën klimatike nëse zgjidhej një tjetër mandat, të zhdukte varfërinë e fëmijëve dhe të subvenciononte produktet sanitare për gratë e vajzat.

Ndërsa Collins premtonte se familjarët e abuzuesve të fëmijëve që refuzonin bashkëpunimin në hetime do të burgoseshin për tre vjet. Ajo u zotua gjithashtu të eliminonte regjistrin e armëve dhe të siguribnte se të gjitha shkollat të kishin nga një tualet për “gjininë neutrale”.

Dy lideret ishin dakord që nuk ishte koha që Zelanda të ndryshonte emrin e saj në atë aborigjen “Māori Aotearoa”, por pranonin se dëshironin të njihnin më shumë gjuhën dhe që ajo të mesohet me gjerësisht në shkolla.

Sipas sondazheve partia laburiste e Ardern besohet se do të fitojë zgjedhjet e 17 tetorit edhe pse Partia Kombëtare po fiton mbështetje. Sondazhet thonë se Laburistët duhet të bëjnë koalicion me Të Gjelbrit.

Collins tha se do të votonte kundër legalizimti të kanabis dhe se nuk e kishte provuar kurrë atë, ndërsa Ardern – për herë të parë – tha se e kishte provuar “shumë kohë më parë.”

FOTO GALERI
1/3
Ardern premtonte të shpallë emergjencën klimatike nëse zgjidhej një tjetër mandat

Top Channel