Grenell “godet” Biden: E humbi kontrollin në debat

30/09/2020 13:52

I dërguari i posacëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell reagoi përmes një postimi në Twitter pas debatit të parë presidencial mes Donald Trump dhe Joe Biden, duke fshikulluar këtë të fundit.

“Dhe përsëri, Joe Biden e humbi kontrollin. Doli e shpërtheu: “Ti je presidenti më i keq në histori”, shkroi Grenelli në profilin e tij. Sipas CBS News, sondazhet e para tregojnë se 48% e të intervistuarve mendojnë që Biden ishte fituesi i debatit, 41% ishin për Trumpin e 10% thonë se dolën të dy njësoj.

Kjo përballje do të pasohet nga një debat mes kandidatëve për zëvendëspresident, dhe nga dy debate të tjera ndërmjet Trumpit dhe Bidenit. Debatet televizive u japin mundësinë kandidatëve që me ato që thonë t’u japin zemër mbështetësve të vet dhe t’u mbushin mendjen votuesve të pavendosur.

Nuk ka të dhëna që të tregojnë se debati ndikon vërtet në rezultatet e zgjedhjeve, por pavarësisht kësaj, ato transmetohen nga të gjitha mediat e mëdha të vendit dhe ndiqen nga 80 deri 100 milionë shikues.

Top Channel