Europol/ 166 të arrestuar në 4 ditë, shefi jep alarmin: Grupet kriminale nga Ballkani janë fuqizuar

30/09/2020 10:41
Droga e kapur nga Europol

166 persona janë vënë në prangat e policisë në kuadër të operacionit ndërkombëtar kundër krimit të organizuar të zhvilluar në pjesën e Evropës Juglindore, ku përfshihet edhe Shqipëria.

Sipas Europol-it, pjesë e këtij operacioni katër ditor kanë qenë 34 vende dhe kishte për qëllim trajtimin e emigracionit të paligjshëm dhe trafikimin e armëve të zjarrit dhe drogës.

Sipas informacioneve të arrestuarit janë nga disa vende të Evropës. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 17 persona për trafik të armëve, 73 për trafikim të emigrantëve të paligjshëm, 37 për trafik droge, 7 për trafik të armëve të paligjshme dhe trafik droge, 12 për dokumente të rreme, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të ndryshme ndërsa 19 të tjerë janë arrestuar për krime të ndryshme që nuk lidhen me operacionin JAD.

Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 51 armë të llojeve të ndryshme dhe 47 kilogramë të një shumëllojshmërie droge. Në kuadër të këtij operacioni shefi i Qendrës së Krimit të Organizuar të Europolit , Jari Liukku se kriminelët nga rajoni i Evropës Juglindore po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit, ndaj është e rëndësishme një punë e mirorganizuar për ta parandaluar një gjë të tillë.

“Kriminelët nga rajoni i Evropës Juglindore po zgjerojnë gjithnjë e më shumë rrjetin e tyre të ndikimit. Europol është i përkushtuar të punojë ngushtë me këtë rajon dhe të mbështesë një qasje ndërkombëtare të koordinuar dhe mbështetëse reciproke për të luftuar krimin e rëndë dhe të organizuar. Ky operacion është një sukses i jashtëzakonshëm dhe ilustron këtë bashkëpunim të fortë për zbatimin e ligjit”, është shprehur ai.

Top Channel