Armenia akuza Turqisë: Rrëzoi një avion ushtarak në kulmin e konfliktit me Azerbajxhanin

30/09/2020 01:05

Armenia, thotë se një nga avionët e saj luftarakë është rrëzuar nga një avion turk, duke e çuar kështu konfliktin mbi rajonin e kontestuar të Nagorni-Karabakut në një tjetër përmasë.

Ministria e jashtme armene tha se piloti i avionit sovjetik SU 25, humbi jetën pasi u godit nga një avion turk F-16, në hapësirën ajrore armene. Turqia, që mbështet Azerbajxhanin në konflikt, nuk ka bërë ende komente mbi ngjarjen.

Rreth 100 persona, mes të cilëve edhe civilë, kanë humbur jetën ndërsa përballja është ndezur mes forcave armene dhe atyre të azerbajxhanit. Nagorni Karabak, një enklavë malore, është zyrtarisht pjesë e azerbajxhanit por është qeverisur nga armenët etnikë që nga 1994. Republika e vetëshpallur ka raportuar 84 viktima mes radhëve ushtarake që nga e diela, por edhe viktima civile. Azerbajxhani nuk i ka publikuar humbjet e tij ushtarake por ka konfirmuar vdekjen e shtatë civilëve. Luftimet nisën tre ditë më parë dhe tani duket se po dalin përtej nagorni karabakut.

Të martën, ministria armene e mbrojtjes tha se një autobus pasagjerësh ishte goditur nga një dron azer në qytetin lindor, Vardenis. Nuk kishte raporte për viktima. Më herët, azerbajxhani tha se dy civile ishin vrarë pas bombardimeve armene në tokë azere, të hënën, pas vdekjes së pesë personave nga e njëjta familje një ditë më parë.

Luftimet e fundit janë më të rëndat që nga 2016 dhe kanë shkaktuar jo pak reagime ndërkombëtare. Këshilli i Sigurimit të okb do të mbajë një takim emergjent mbi cështjen. Konflikti mund të vendosë përballë njëra tjetrës edhe Turqinë me Rusinë, me të parën që mbështet Azerbajxhanin dhe të dytën që ka një bazë ushtarake në Armeni.

Top Channel