Transportonte 13 shtetas të paligjshëm me makinën me qira, arrestohet në Elbasan 22-vjeçari

29/09/2020 09:05
Foto ilustruese

Një 22-vjeçar  u kap në Elbasan duke transportuar 13 shtetas të huaj nga vendet e treta me makinëme qira.

Gjatë finalizimit të operacionit të koduar “Bradasheshi”, ra në prangat e policisë   A. D., 22 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë, arrestimi i tij u bë pasi në aksin rrugor Elbasan-Peqin, në fshatin Bradashesh, Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me një mjet të marrë me qira, 13 shtetas sirianë, për të kaluar kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

“Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të  parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se ky shtetas transportonte disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan punën dhe finalizuan operacion policor të koduar “Bradasheshi””, shkruan policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti dhe dy aparate celular. Sipas policsë, materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel