Shtyhet seanca e Kuvendit të ditës së enjte, votimi i Kodit Zgjedhor hiqet nga rendi i ditës

29/09/2020 12:22

Seanca plenare e Kuvendit të ditës së enjte është shtyrë për të hënën datë 5 tetor, ndërsa votimi i Kodit Zgjedhor është hiqur nga rendi i ditës.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, ky vendim është marrë nga kërkesa e grupeve parlamentare opozitare. Heqja e votimit nga rend i ditës ndodhi për tu lënë më shumë kohë për dialog grupeve parlamentare dhe komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e tyre.

Njoftimi i Presidencës:

Të nderuar kolegë, Ju njoftoj se, nga kryetarët e grupeve parlamentare opozitare është depozituar kërkesa për heqje nga rendi i ditës së nismave ligjvënëse lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, parashikuar për seancën plenare te datës 1 tetor 2020. Me porosi të Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për t’u lenë kohë të mjaftueshme grupeve parlamentare për dialog lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe komisionit përgjegjës për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e tyre, seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, programuar për  ditën e enjte, datë 1 tetor, ora 10:00, do të zhvillohet ditën e hënë, datë 5 tetor, ora 10:00. Për procedurat e transmetimit do të keni një njoftim tjetër. Faleminderit!

Kujtojmë se palët politike vazhdojnë diskutimet për të rënë dakord në lidhje me amendamenteve të paraqitura në Komisionin e Ligjeve.

Top Channel