Antishpifja/ Arrestohet amerikani që dha vlerësim negativ online për hotelin në Tailandë

29/09/2020 21:25

Një amerikan përballet me dy vjet burg sipas ligjeve anti-shpifje të Tailandës pasi postoi vlerësim negativ online për rezortin ku po qëndronte.

Rezorti Sea View në qytetin bregdetar Koh Chang akuzoi Wesley Barnes për një “fushatë shpifjesh” në vlerësimet e tij në rrjetet e mëdha të turizmit, dhe bëri ankesën në polici, në përputhje me ligjet e ashpra anti-shpifje të vendit.

Amerikani Barnes, i cili punon atje u arrestua dhe u mbajt dy net në qeli për çështjen, para se të lirohej me kusht.

Barnes kishte qëndruar në hotelin e cështjes në qershor dhe ishte zemëruar nga fakti se ishte detyruar të paguante shtesë për një shishe verë që kishte sjellë me vete, ndërsa thoshte gjithashtu se menaxheri dhe stafi i hotelit ishin agresivë.

Barnes më vonë postoi vlerësimet e tij negative në rrjetet e njohura online, duke përfshirë dhe një koment ku thuhej se “menaxherët i trajtojnë punonjësit si skllevër” apo dhe “stafi sillet sikur nuk dëshiron të shohë njeri me sy”.

Barnes gjithashtu e krahasonte rezortin me “skllavëri të kohëve moderne”, ndërsa tha për mediat britanike se kishte marë një mesazh nga rrjeti më i madh i turizmit Tripadvisor ku thuhej se “nuk mund të publikojmë vlerësimet tuaja pasi dalin jashtë udhëzimeve të guidës tonë turistike”.

Ndërsa rezorti tha se fillimisht ishte përpjekur të kontaktonte me Barnes për zgjidhjen e çështjes por vlerësimet e tij ishin postuar në disa platforma të ndryshme gjatë disa javëve.

“Ne nuk kemi probleme me vlerësimet e ndershme, pasi siç e shihet ka mjaft vlerësime negative. Kemi problem me shpifjet dashakeqe”.

Policia e Koh Chang konfirmoi ankesën dhe tha se Barnes akuzohej për “dëm ndaj reputacionit të hotelit”, si dhe për sherr me stafin e hitelit për pegesën e marrjes së pijeve nga jashtë.

Barnes, i cili punon në Tailandë, tha se u arrestua nga policia e emigracionit dhe se i është marrë pasaporta. Ai pret të dalë në gjyq më 6 tetor.

Shpifja është akt kriminal në Tailandë dhe dënohet deri me dy vjet burg, ose gjobë 200,000 baht (6000 euro). Grupet e të drejtave thonë se ligji është i ekzagjeruar dhe me të abuzohet për ndalimin e fjalës së lirë të aktivistëve dhe gazetarëve.

Vitin e kaluar gazetarja Suchanee Cloitre u dënua me dy vjet burg për një koment online mbi kushtet e punës në fermën e Thammakaset.

FOTO GALERI
2/3
Rezorti Sea View në qytetin bregdetar Koh Chang akuzoi Wesley Barnes për një “fushatë shpifjesh” në vlerësimet e tij

Top Channel