Pompeo takon Dendias në Selanik/ Mbështetje integrimit të Ballkanit, delimitimi i kufijve detare në bazë të ligjit të detit

28/09/2020 11:52

SHBA dhe Greqia kanë riafirmuar angazhimin e tyre ndaj të ashtuquajturit ‘Dialog Strategjik’ i nivelit të lartë që është zhvilluar në Selanik midis krerëve të diplomacisë së dy vendeve,  si një dëshmi e marrëdhënieve të jashtëzakonshme dypalëshe.

Sa i përket bashkëpunimit rajonal Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo dhe MPJ të Greqisë Nikos Dhendias, kanë ndarë gjatë 50 minutave të takimit, pikëpamjet e tyre  mbi zhvillimet në  Mesdheun Lindor duke ripohuar se çështjet e delimitimit të kufijve detare duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtar.

Në këtë drejtim, Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur  përfundimin e marrëveshjeve të Greqisë me Italinë dhe Egjiptin, si dhe përpjekjen e Athinës për t’u angazhuar me vendet e tjera në rajon në lidhje me kufijtë detare.

Gjithashtu në deklaratën e përbashkët që kanë nënshkruar dy homologet Pompeo dhe Dhendias ritheksohet mbështetja për integrimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet evropiane dhe transatlantike sipas zgjedhjes së shtetasve të tyre dhe është sjellë si shembull përpjekja e Athinës për nënshkrimin e marrëveshjes së Prespës dhe anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Sa i përket energjisë është përgëzuar përfundimi i gazsjellësit Trans-Adriatik dhe janë diskutuar Interconjektori Greqi-Bullgari,Greqi- Maqedonia e Veriut,  projektet e njësive të rigazifikimit dhe magazinimit të gazit në Alexandroupoli dhe Kavala. Në këtë aspekt është theksuar pjesëmarrja e shoqërive amerikane si ExxonMobil në partneritet me Total dhe Hellenic Petroleum për kërkimet për gaz natyror në brigjet e Kretës.

Dëshira dhe qëllimi i dy vendeve është shprehur në rritjen e partneritetit strategjik në sektorët e tregtisë, informacionit ,teknologjisë 5G, privatizimit, infrastrukturës strategjike,  fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit.

Pompeo ka zhvilluar edhe një takim me biznesmenë të Greqisë së Veriut të interesuar për investime në fushën e energjisë në rajonin Ballkanik, ndërsa takon të martën kryeministrin grek Mitsotakis në Kretë.

Top Channel