Ditën e sotme u pezullua nga detyra zëvendësdrejtori i OFL-së, Artan Shkëmbi.

Ish-zyrtari akuzohet për shpërdorim detyre, pasi pretendohet se ka nxjerrë një informacion të dhënë nga autoritetet gjermane. Deputeti Lefter Maliqi ndërkaq, tha në “Top Talk”, se OFL-ja është një show i madh, ndërsa pretendon se posedon një informacion për ministrin Lleshaj.

Ai tha se për ta mbajtur në detyrë ministrin Lleshaj ka lobuar shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Madje sipas Maliqit, ky i fundit ka lobuar vite më parë për ta bërë Lleshajn President të Shqipërisë, por në atë kohë një gjë të tillë e pengoi Sali Berisha.

Lefter Maliqi: Kështu që zoti Lleshaj që nga muaji mars që zoti Rama e hoqi nga drejtimi i Këshillit Drejtues të Autoritetit Civil, ka vazhduar kjo pakënaqësi dhe përplasje, por qëndron në atë vend pune për shkak të mikut të përbashkët, Ismail Kadare, i cili është kontribuesi kryesor i pushtetit të tij.

Denis Dyrnjaja: Ngjan si vulgare kjo. Të qëndrojë në detyrë ministri i Brendshëm se ka miqësi me Ismail Kadarenë është fantazi për ta besuar.

Lefter Maliqi: Zoti Denis, informacionet edhe brenda PS-së edhe brenda strukturave të policisë i marr tepër të sakta. Po ju them që e gjithë karriera e tij, jo ushtarake, se gradën e gjeneralit e mori në kohën e Berishës, por e gjithë karriera e tij politike ka të bëjë drejtpërdrejt me emrin e Ismail Kadaresë.

Denis Dyrnjaja: Ju thoni se Sandër Lleshaj e ka marrë këtë vend pa meritokaci, por e ka përfituar nga një mik që është Islamil Kadare?

Lefter Maliqi: Sandër Lleshaj mund të ishte dhe mund të jetë më i suksesshëm sesa është, por u përdor politikisht nga Edi Rama, duke shkelur ligjet, Kushtetutën, duke shembur teatrin me forcat e RENEA-s, duke përdorur gaz lotsjellës vend e pa vend. Goditja e studentëve, gazetarëve, arrestimet ndaj të varfërve, opozitarëve, të gjitha këto bënë që Rama ta përdorte atë. Ndryshe nga Tahiri që po e sorollat në dyert e gjykatave dhe fajtori për këtë është Edi Rama, sepse përsa i përket Policisë së Shtetit, unë e kam thënë që marrëdhënia ministër me Policinë e Shtetit ka qenë më e mirë koha e Tahirajt. Madje Kadareja ka lobuar që Lleshaj të bëhej edhe President, por nuk ka dëgjuar Berisha në atë kohë, këto janë burime tepër të sigurta dhe mbaj përgjithësi për këtë që them.

Top Channel