Pasi përfundoi pas 6 orësh të gjata seanca paraprake, GJKKO ka dërguar në gjykim 30 persona duke pranuar pjesërisht kërkesën e SPAK për trafik droge ndaj të akuzuarve Sokol Nesimi, Aldo Nesimi, Bilbil Shalqi, Enkelejd Sadik, Gjergji Çovaj, dhe të tjerë që në total janë 21 persona, të arrestuar në vitin 2019 në kuadër të operacionit LIMIT.

Ndërsa për Fejzo Dana, Agron Manka, Bektash Zeneli, etj do të gjykohen në Gjirokastër për kultivim kanabisi.

Nga ana tjetër shtetasit Kastriot Hoxha, Nertin Hoxhalli dhe Eugen Meka do të gjykohen në gjykatën e Tiranës për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Kujtojmë se operacioni “Limit” u zhvillua në vitin 2019, pas një hetimi tre vjeçar që çoi në shkatërrimin e katër grupeve kriminale të trafikut të kokainës dhe kanabisit që përpunohej në vendin tonë dhe trafikohej në Greqi, Turqi dhe vende të BE-së.

Hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda në bashkëpunim të ngushtë me policinë e Shtetit dhe autoritetet greke, u finalizua me operacionin e fundit policor “Limit” me përfshirjen e rreth 300 efektivëve në disa qytete të Shqipërisë (Tiranë, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë).

Hetimet të shtrira në një periudhë 3-vjeçare (2016-2019) kanë zbuluar edhe skemën si funksionin këto grupe kriminale. Në Holandë sigurohej fara e kanabisit, më tej kalonte tranzit në Greqi, dhe me ardhjen në Shqipëri bëhej edhe përpunimi në laboratorë të posaçme për kultivimin e lëndëve narkotike. Më tej, droga trafikohej në Greqi, Turqi dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.

Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.

Top Channel