Aplikimet për tu bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit ose ndryshe FBI-së shqiptare vijojnë, ku kanë marrë pjesë mbi 165 policë dhe civilë.

Kur kanë mbetur dhe dy ditë nga afati për garën drejt BKH-së, burimet tregojnë se kanë aplikuar mbi 165 pretendentë. Mes tyre ka shumë konkurrentë nga jeta civile dhe oficerë policie.

E pyetur nga Top Channel,  drejtoresha e BKH-së  dha këtë mesazh për pretendentët.

Të gjithë kandidatët/et që demonstrojnë lidership, integritet, profesionalizëm dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara në Ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” të aplikojnë për këtë pozicion pune, deri në datën 29 shtator 2020. Procesi i përzgjedhjes do të jetë i drejtë, objektiv dhe transparent.  Ne duam të përzgjedhim kandidatët/et më të mirë’, tha ajo.

Kujtojmë se më 8 shtator është hapur gara për 60 hetuesit  që do të përzgjidhen për të qenë agjentët specialë të BKH-së. Ndërsa formulari prej 7 faqesh që duhet të aplikojnë kandidatët që duan të bëhen pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit ndodhet në faqen zyrtare të BKH-së.

Kandidatët duhet të plotësojnë gjeneralitetet që kërkohen si emri, mbiemri, adresa e banimit, numri i telefonit, vendi i lindjes apo  numri i pasaportës, data e lindjes së babait dhe nënës, çdo e dhënë për kolegjin, gjimnazin apo universitetin. Gjithashtu  në formular ka edhe pyetje interesante si pesha, ngjyra e flokëve apo ngjyra e syve.

Për çdo punë të mëparshme që ata mund të kenë bërë apo kanë aplikuar, duhen të dhëna apo kontakte për ndonjë koleg apo drejtues për të bërë të mundur marrjen e informacioneve për ta. Gjithashtu vërtetimet se ku ka punuar apo nëse është shkarkuar nga puna dhe arsyet e shkarkimit.

Aplikantët duhet të japin informacion nëse kanë ndonjë shqetësim shëndetësor, ndonjë sëmundje nga e cila vuajnë, nëse marrin mjekime rregullisht Në formular duhet të plotësohet nëse ndonjë i afërm i tyre është emëruar në BKH.

Nëse ata janë në gjykim apo hetim, anëtar të ndonjë partie politike, apo simpatizantë. Çdo formular është personal për çdo aplikant, i cili me anë të tij mundëson verifikimin e të dhënave të aplikimit.

Pas plotësimit të të gjitha të dhënave, duhet të kalohet edhe testi i ushtrimeve fizike si edhe të verifikohet pastërtia e figurës. Të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm sepse shumë persona janë përjashtuar pasi nuk i kanë plotësuar të gjitha detajet e formularit.

Pas përfundimit të aplikimeve, 60 kandidatët do të marrin distinktivin, do të testohen në makinën e së vërtetës, pasi ta kalojnë edhe këtë procedurë ata do të trajnohen me agjentët e FBI- së në SHBA.

Top Channel