Shërbimet në ambiente të mbyllura/ Protokolli për baret, restorantet e pishinat, lejohen nga 1 tetori. Klubet e natës dhe diskot mbyllur

27/09/2020 17:06

Baret, restorantet dhe pishinat me ambient të mbyllur, do të hapen nga data 1 tetor, që pas mbylljes me nisjen e pandemisë së Covid-19.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se është miratuar edhe protokolli i posaçëm i sigurisë.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar Protokollet e posaçme të sigurisë për rihapjen nga data 1 Tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura, ku distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt”.

Por krahas hapjes, nga 1 tetori këto biznese do të monitorohen për zbatimin e masave dhe kushteve të higjienës.

“Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Por nëse duam që aktivitetet ekonomike të mos pengohen dhe ekonomia të ecë përpara, duhet të marrim përgjegjësinë që na takon, duke nisur nga institucionet, biznesi dhe çdo qytetar”.

Megjithatë, klubet e natës, lounge-baret, diskot apo aktivitete të ngjashme do të vijojnë të qëndrojnë të mbyllura.

Top Channel