SHBA-ja dhe India shifra të larta infeksionesh të reja me COVID-19

27/09/2020 16:21

Universiteti Johns Hopkins ka raportuar shifra në rritje me infeksione të reja me koronavirus në Indi dhe SHBA. Të shtunën vonë në mbrëmje India njoftoi 86.054 infeksione të reja në 24 orët e fundit, ndërsa SHBA 55.054 raste brenda së njëjtës periudhë kohore.

Në SHBA koronavirusi ka prekur të ashtuquajturën “zemër” të vendit, një zonë që deri tani dukej si papërshkueshme nga virusi.

Sipas të dhënave shtete si Dakota e veriut ajo e Jugut, Ajoa dhe Uiskonsin janë goditur rëndë nga virusi.

Evropa gjithashtu po përjeton një valë të re infeksionesh me koronavirus, duke bërë që disa qeveri të rikthejnë kufizimet ndaj populates e bizneseve. Në Francë, kreu i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve tha se një “valë e dytë infeksionesh me COVID-19 po mbërrin më shpejt sesa ishte menduar”.

Patrick Bouet tha për gazetën Journal du Dimanche se “nëse asgjë nuk ndryshon, Franca do të përballet me infeksione të përhapura në të gjithë territorin e saj, për disa muaj me radhë në vjeshtë e dimër” ndërsa sistemi shëndetësor do të mbingarkohet.

Të shtunën, Franca tha se kishte regjistruar më shumë se 14,000 infeksione të reja në 24 orët e fundit.

Në Holandë Kryeministri Make Rutte e quajti valën e re të infeksioneve që kanë përfshirë vendin e tij “shumë shqetësuese”. Ai tha se kjo gjë mund të çojë në marrjen e masave kufizuese shtesë.

Republika çeke gjithashtu pritet të përballet me masa të reja kufizuese siç njoftoi ministri i Shëndetësisë Roman Prymula të premten. Ai nuk dha detaje se për çfarë bëhej fjalë saktësisht.

Në Spanjë, autoritetet lokale të Madridit dhe qeveria janë përfshirë në debat rreth masave dhe hapave të nevojshëm për të kontrolluar shpërthimin e infeksioneve të reja në rajonin e kryeqytetit.

Në Londër demonstrues pa maska dolën në rrugët e qytetit të shtunën për të protestuar ndaj masave të reja kufizuese. Policia shpërndau protestuesit dhe të paktën 16 persona u arrestuan.

Në të gjithë botën janë shënuar rreth 33 milionë raste me COVID-19. SHBA renditet e para për nga numri i infeksioneve që prej fillimit të pandemisë, me më shumë se 7 milionë raste, ndjekur nga India me gati 6 milionë dhe Brazili me pothuajse 5 milionë. VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA