Nis procesi për ndërtimin e pallateve të reja, Veliaj: Familjet do marrin bonusin e qirasë derisa të marrin apartamentin

27/09/2020 11:54
Erion Veliaj

Këshilli Bashkiak i Tiranës do t’i hapë rrugën procesit të ndërtimit të pallateve të reja, në dy lagjet e reja në kryeqytet, në Kombinat dhe zonën e “5 Majit”, ku do të strehohen të gjitha familjet, shtëpitë e të cilave janë shpallur të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Në mbledhjen e radhës, anëtarët e Këshillit Bashkiak do të shqyrtojnë projektvendimin për prishjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, të cilat inxhinierët dhe ekspertët e ndërtimit i kanë cilësuar si të parikonstruktueshëm ose që e tejkalojnë vlerën 70% të rikonstruktimit e sipas ligjit, duhet të rindërtohen nga e para.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj deklaroi sot se me mbylljen e ciklit të kompensimeve dhe të rindërtimit të banesave të dëmtuara gjatë tërmetit të 21 shtatorit 2019, fokusi tashmë është te lagjet e reja dhe rindërtimi i pallateve të tërmetit të 26 nëntorit. “Vendimi ka të bëjë me prishjen e detyruar të ndërtesave pallate, si rezultat i dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ky vendim lidhet me pallatet në Njësinë 6, në zonën e Kombinatit, për të cilin në kemi zhvilluar 8 seanca maratonë, ku çdo pallat është studiuar dhe prezantuar në mënyrë transparente nga inxhinierët, me të gjithë librat e kontrolleve dhe akt-konstatimet e projekteve inxhinerike. Janë prezantuar edhe në komisionet e Këshillit Bashkiak, ku për transparencë maksimale kemi qenë në transmetim live, ndaj ka ardhur koha të marrim një vendim”, u shpreh Veliaj.

Ai deklaroi se për pallatet e dëmtuara ligji thotë se nëse kostoja e rikonstruksionit të tyre kushton më shumë se 70% e kostos së rindërtimit, duhet bërë nga e para. “Nëse kostoja për të riparuar një pallat ‘të kohës së xhaxhit’, të bërë me punë vullnetare nga njerëz që nuk kanë qenë ndërtues, me materiale të varfra, me dije dhe njohuri e teknika të varfra, shkon mbi 70%, duhet rindërtuar. Pra, ky pallat kushton më lirë ta bësh nga e para se sa ta riparosh. Dua të siguroj se çdo banor i këtyre pallateve do vazhdojë të marrë bonusin e qerasë deri ditën që do marrë çelësat e apartamentit të ri në dorë. Apartamenti i ri do të këtë një vlerë shumë më të madhe në treg se ai që kishin, dhe për sa kohë që merr diçka më të mirë e më të fortë për 100 vitet e ardhshme, bësoj se kjo është një formulë me vlerë më shumë se çdo improvizim tjetër apo spekulim”, shpjegoi Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se procedura ka qenë transparente, ku inxhinierët, strukturalistët, arkitektët kanë venë firmën e tyre dhe janë përgjegjës përpara ligjit për të gjitha studimet që kanë bërë për këto pallate.

Ai shtoi se Bashkia e Tiranës ka mbyllur të gjithë ciklin e kompensimeve dhe të rindërtimit për 65 banesat e tërmetit të Shtatorit dhe 1860 pagesa cash për tërmetin e 21 Shtatorit. “Kur u bë viti nga tërmeti mbyllëm të gjitha detyrimet e tërmetit të parë për Bashkinë e Tiranës. Tani jemi foksuar 100% tek mbyllja e programit të rindërtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit, por edhe për të vazhduar me energji të reja në ndërtimin e lagjeve apo komplekseve që do të shoqërojnë procesin i rindërtimit”, theksoi Veliaj.

Top Channel