Mustafa, të hënën para gjykatës/ Ish pjesëtari i UÇK-së u arrestua disa ditë më parë dhe u dërgua në Hagë

27/09/2020 19:43

Pasditen e të hënës, ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i arrestuari i parë nga prokuroria e posacme, Sali Mustafa do të paraqitet në Gjykatën e Hagës, e cila trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Mustafa u arrestua të enjten dhe u transferua në njësinë e paraburgimit në Hagë. Aktakuza e cila ishte konfirmuar në qershor, e ngarkon Mustafën “me përgjegjësi penale individuale për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, që janë krime lufte sipas të drejtës ndërkombëtare”.

Sipas akuzës “afërsisht midis 1 prillit të vitit 1999 dhe 19 prillit të vitit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, (një zonë në lindje të Prishtinës) janë kryer krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”. Mustafa ishte pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998-1999 ndërsa pas luftës kishte shërbyer në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Një ditë pas arrestimit të tij, prokuroria e posaçme arrestoi kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, “në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuar nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”. Bashkë me të u arrestua edhe nënkryetari i Organizatës, Nasim Haradinaj.

Të shtunën Dhomat e Specializuara thanë se Haradinaj u transferua në Hagë dhe urdhër arresti ka të bëjë me “vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”. Arrestimet nxitën jo pak reagime në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA