Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha sot se refuzimi i Zvicrës për të kufizuar imigracionin e qytetarëve të BE ishte një “shenjë pozitive”.
“Vota e tyre (në referendum) konfirmon një nga shtyllat kryesore të marrëdhënies sonë: lirinë e ndërsjellë të lëvizjes, qëndrimit dhe punës në Zvicër dhe BE. Unë e mirëpres një rezultat të tillë dhe e shoh si një shenjë pozitive në mënyrë që ne të mund të forcojmë dhe thellojmë më tej lidhjet tona,” theksoi ajo në një deklaratë.
Rreth 1.4 milion shtetas të BE-së jetojnë në Zvicër dhe 450.000 zviceranë jetojnë në BE dhe 320.000 qytetarë të BE-së kalojnë kufirin çdo ditë për të shkuar në punë në Zvicër.
Leyen shtoi se së shpejti do të bisedojë me presidenten e Konfederatës zvicerane Simonetta Sommaruga.
“Tani pres që Këshilli Federal Zviceran të ndërmarrë hapa të shpejtë për të nënshkruar dhe ratifikuar marrëveshjen kornizë institucionale që kemi finalizuar në vitin 2018,” tha Ursula von der Leyen.
Për vite, BE ka dashur të përfundojë një marrëveshje kornizë institucionale me Bernën zyrtare për të thjeshtuar lidhjet dypalëshe. Në lidhje me këtë marrëveshje nuk ka asnjë pajtim më të vogël në Zvicër, as te partitë e majta dhe as tek ato të djathta.
Top Channel