Presidenti iranian me akuza ndaj SHBA-së pas vendosjes së sanksioneve të reja

26/09/2020 17:03

Presidenti iranian, Hassan Rohani, gjatë një fjalimi televiziv më 26 shtator, u tha iranianëve që ta drejtojnë zemërimin e tyre kah Uashingtonit zyrtar, sa i përket ndikimit që do të kenë sanksionet amerikane.

Rohani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për “egërsi” lidhur me vendosjen e sanksioneve, përfshirë edhe për sanksionet e reja që u vendosën gjatë kësaj jave.

“Me sanksionet e tyre joligjore dhe jonjerëzore dhe me veprimet terroriste, amerikanët kanë shkaktuar 150 miliardë dollarë dëme për popullin e Iranit”, tha Rohani.

Rohani tha se sanksionet do të pamundësojnë blerjen e barnave dhe ushqimit. Furnizime të tilla nuk përfshihen në sanksionet amerikane, por shumë kompani kanë frikë që të thyejnë rregullat dhe shmangin transaksionet me Teheranin zyrtar.

“Ne nuk kemi parë shkallë të tillë të egërsisë”, tha Rohani.

“Adresa e saktë për të gjitha këto krime dhe presionit ndaj popullit iranian është në Uashington D.C, në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Më 21 shtator, SHBA-ja prezantoi sanksionet e reja ndaj Iranit, ku do të sanksionohen personat dhe entitetet që janë të përfshirë në aktivitetin bërthamor të Iranit ose në programin e raketave konvencionale të Teheranit.

SHBA-ja rivendosi sanksionet ekonomike ndaj Iranit pasi u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Teherani arriti me fuqitë botërore.

Nga kjo marrëveshje, Uashingtoni u tërhoq dy vjet më parë.

Po ashtu, më 24 shtator, Uashingtoni vendosi edhe një sërë sanksionesh të reja, duke futur në listë të zezë gjykatës dhe entitete të tjera nën dyshimin se kanë shkelur të drejtat e njeriut. Në listën e sanksioneve është edhe një gjykatës që ka qenë i përfshirë në dënimin me vdekje të një sportisti iranian.

Pasi SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja bërthamore dhe rivendosi sanksionet, Irani gradualisht ka shkelur kufizimet që ishin vendosur në marrëveshjen e vitit 2015, për programin e tij bërthamor, ka thënë Agjencia Ndërkombëtare për Energji bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA