Qeveria e Kosovës miratoi një sërë masash të reja të lodhura me pandeminë, ku përfshin disa lehtësime.

Kështu sektorit të gastronomisë në Kosovë i është zgjatur orari i punës për një orë më shumë. Sipas vendimit të fundit, subjektet që ofrojnë shërbime gastronomie do të duhet t’i mbyllin bizneset në orën 23:30, ndërsa orari i mëparshëm ishte 22:30.

Po kështu do të lejohën pjesërisht aktivitetet kulturore të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës dhe të komunave, përkatësisht teatrove, bibliotekave, filarmonisë, galerive, ansambleve, baletit, kinemave, qendrave rinore, muzeve dhe qendrave të kulturës. Këto objekte dhe institucione, që deri më tani kanë qenë të mbyllura, do të mund të shfrytëzojnë vetëm 40 përqind të hapësirës së tyre. Me vendimin e ri të ekzekutivit kosovar, institucionet shëndetësore detyrohen nga ana tjetër t’i rikthejnë shërbimet shëndetësore në përputhje me masat për mbrojtje nga COVID-19.

Po sipas vendimit, të gjithë qytetarët e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës, e vijnë nga vendet me rrezik të lartë, duhet të dëshmojnë nëpërmjet testit të njohur si RT-PCR për Sars COV-2 se nuk janë të prekur nga sëmundja, në bazë kjo të parimit të reciprocitetit. Në Kosovë, ditëve të fundit, ka pasur rënie të numrit të rasteve me COVID-19 krahasuar me muajt korrik dhe gusht. Të premten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike konfirmoi vetëm 46 infektime të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA