Moti i keq/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile-5 prefekturave në vend: Merrni masa në rast përmbytje

26/09/2020 16:46

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile i ka bërë thirrje 5 prefekturave të vendit, Shkodër, Lezhë, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, për të marrë masa parandaluese për shkak të motit të keq që do të përfshijë vendin gjatë fundjavës.

“Sipas Institutit të Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), në veri, perëndim dhe jug të vendit priten stuhi dhe reshje të mëdha shiu. Zonat që rrezikojnë të preken më shumë Shkodra, Dibra, Malësia e Madhe, Kruja”, thekson AKMC në shkresën drejtuar prefekturave në zbatim të ligjit “Për Mbrojtjen Civile” dhe Planit Kombëtar të Emergjencave Civile”.

Sipas AKMC, reshjet e shiut dhe stuhitë mund të bëhen shkak për përmbytje në disa prefektura në dy ditët në vijim.

AKMC i bën apel prefekturave për masa të menjëhershme parandaluese dhe vënien në gatishmëri të strukturave operacionale, si dhe të vlerësojnë zonat më të rrezikuara nga përmbytja, si dhe të marrin masa për popullsinë.

AKMC i bën thirrje prefekturave të njoftojnë banorët e këtyre zonave për rrezikun dhe planifikimin e masave reaguese në rast përmbytje.

Po ashtu pushteti vendor të përcaktojë vendet e pa rrezikuara për zhvendosjen e popullsisë në rast rreziku.

AKMC i kërkoi prefekturave të kalojnë Mas në gatishmëri të gjitha strukturat e pushtetit lokal, si dhe Forcave të Armatosura dhe Policisë së Shtetit, në gatishmëri me kapacitetet e deklaruara për rastet e emergjencave.

Top Channel