Kërkesa për reforma, masa kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të parave të BE-së ka nxjerrë prej muajsh në rrugë mijëra bullgarë.

Shtysën, kjo shprehje e indinjatës popullore e mori prej bastisjes së zyrave të presidentit Rumen Radev, në fillim të korrikut, si dhe të politikanëve opozitarë. Mijëra kundërshtarë të ekzekutivit kërkojnë një fillim të ri, duke argumentuar se ky mund të ndodhë vetëm pas reformës së plotë juridike dhe një lufte të vendosur kundër korrupsionit.

Eurodeputeti ekologjist gjerman Daniel Freund qëndroi tre ditë në Sofje për të ndjekur protestat. Ai u shpreh për DW se “korrupsioni është problem në Evropë”, dhe se “ne në BE duhet të jemi të bashkuar në luftën kundër tij”.

Freund rrëfen se ka biseduar me përfaqësuesin një ministrie, i cili i ka shpjeguar se si ndodh korrupsioni në praktikë.

“Më ka treguar se si manipulohen tenderët publikë, në mënyrë që të fitojnë firma të caktuara”, tha Freund në bisedë me DW.

“Nëpunësit detyrohen të bëjnë atë që ju thuhet, sepse nga këto gjëra varen edhe rrogat e tyre”.

Në protesta ka shumë flamuj të Evropës, ndonëse presidenti konsiderohet si prorus. Freund thotë se i duket shumë pozitive që në protesta marrin pjesë shtresa të ndryshme dhe dëgjohen ide të ndryshme politike, ndërsa shton se njerëzit ende kanë shpresë, cka reflektohet edhe në komentet e protestuesve.

“U largova nëntë vjet më parë nga Bullgaria e u vendosa në Irlandë. Por këtë vit u ktheva sërish, sepse kam shpresë që gjërat mund të përmirësohen; sepse dua që Bullgaria të jetë vendi ku unë mund të qëndroj pa qenë nevoja t’i hyj rrugës së emigracionit për një jetë normale”, shprehet Denitsa Dimitrova, protestuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA