20 vdekje, 1900 raste të reja brenda 24 orëve të fundit: në Itali frika e koronavirusit po rikthehet. Këto konsiderohet si shifra të reja rekord që prej karantinës. Edhe testet e tamponeve ndërkohë, sipas ministrisë vendase të shëndetësisë mbeten në nivele shumë të larta: 107 mijë.
Shpresëdhënës është fakti që në terapitë intensive, situata paraqitet e qetë. Sakaq Kryeministrat e Francës dhe Holandës kanë lëshuar paralajmërime të ashpra pas shifrave të tyre të koronavirusit që duket sikur po dalin sërish jashtë kontrollit, ndërsa në Spanjë, vendi i Europës perëndimore më i goditur prej pandemisë, pavarësisht gjendjes së rënduar autoritetet në Madrid i kanë hedhur poshtë apelet e qeverisë qendrore për një bllokim të të gjithë kryeqytetit.
Santé Publique France, autoriteti francez i shëndetit publik, tha se brenda një dite u shënua shifra rekord e 16,096 infeksioneve të reja. Në Parisin e shpallur “ zonë e “gatishmërisë së shtuar” autoritetet rajonale të spitalit paralajmëruan se 20% e operacioneve kirurgjikale do të duhej të shtyheshin nga kjo fundjavë sepse spitalet po i afrohen pikës së tejmbushjes për shkak të rasteve të koronavirusit.
Të enjten, kryeministri francez, Jean Castex, u shfaq në televizion për të paralajmëruar vendin se situata po përkeqësohet dhe popullata duhet t’i përmbahej masave shëndetësore dhe mbrojtëse për të shmangur kthimin në ditët më të këqija të epidemisë në pranverë.
Top Channel