Vjosa, Rama ironizon Metën: Dakord me Ilirin, por të mbronte edhe Valbonën

25/09/2020 15:27

Presidenti Ilir Meta I është bashkuar përpjekjeve për të mbrojtur lumin e Vjosës, e ndaluar betonimin përmes ndërtimit të hidrocentraleve.

Në një simpozium mbajtur të enjten për Vjosën, presidenti tha se “sigurisht që një sensibilizim kaq i madh ndërkombëtar për çështjen e Vjosës, nuk mund të mos të kishte vëmendjen e tij maksimale.

Ndërsa paraditen e të premtes kreu shtetit mori pjesë në përurimin e Qendrës Ndërkombëtare Shkencore dhe Kërkimore për Vjosën në Tepelenë. E ardhmja e Vjosës tha presidenti Ilir Meta, nuk mund të jetë kurrsesi shkatërrimi i saj përmes ngritjes së hidrocentraleve, por vetëm shpallja si Park Kombëtar.

“Koha që qeveria të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të 776 shkencëtarëve nga e gjithë bota për mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore kombëtare dhe ndërkombëtare” theksoi presidenti i cili për këtë kërkesë,  mori një përgjigje nga kryeministri Edi Rama.

“ Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!”.

Në të tilla kushte kur mbrojtja e Vjosës po merr edhe mbështetje ndërkombëtare, kryeministri tregon se çfarë ka bërë qeveria.

“Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!”.

Muhamed Veliu

Top Channel