Turqia: Nuk ka kompromis për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave në tokë, det dhe ajër

25/09/2020 14:18

Këshilli i Sigurisë Kombëtare deklaroi se “Këtej e tutje kombi turk nuk do të bëjë kompromis në lidhje me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij në tokë, det dhe ajër”.

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare (MGK) që u zhvillua të enjten me kryesimin e Presidentit Recep Tayyip Erdogan në Kompleksin Presidencial u publikua një komunikatë.

Në këtë komunikatë bëhet e ditur se Këshillit i janë dhënë informacione në lidhje me operacionet që zhvillohen brenda dhe jashtë shtetit kundër të gjitha organizatave terroriste që kërcënojnë bashkimin kombëtar, unitetin dhe mbijetesën e Turqisë, me në krye PKK/KCK-PYD/YPG, FETO dhe DAESH.

Gjithashtu u shqyrtuan aktivitetet e aktorëve që rrisin tensionin mbi divergjencat në juridiksionin detar në Mesdheun Lindor dhe në lidhje me këtë u bë një vlerësim.

Sipas këtij vlerësimi: “Është përsëritur edhe një herë se kombi turk, ashtu siç ka bërë deri më sot, edhe këtej e tutje nuk do të bëjë kompromis në lidhje me mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij në tokë, det dhe ajër. Vendeve që veprojnë duke shkelur të drejtën dhe traktatet ndërkombëtare, duke filluar nga armatimi i ishujve që nuk kanë status ushtarak, i është bërë thirrje të veprojnë me maturi dhe është theksuar se Turqia është pro çdo platforme dhe para së gjithash pranë dialogut në lidhje me ndarjen në mënyrë të drejtë të burimeve natyrore në rajon”.

“Në çdo mosmarrëveshje rajonale dhe globale Turqia zë vend gjithmonë pranë të drejtës dhe drejtësisë dhe në këtë kuadër ka mbajtur qëndrim dhe ka vepruar edhe në Mesdheun Lindor. I bëjmë thirrje të gjitha institucioneve me në krye ato të Bashkimit Evropian dhe shteteve të përfshira në mosmarrëveshje që të respektojnë këtë qëndrim parimor të vendit tonë dhe të drejtën dhe interesat e Republikës Turke të Qipros së Veriut”, shkruhet në komunikatë.

Gjithashtu në komunikatë bëhet e ditur se “Turqia, e cila në kuadër të legjimitetit mbështet luftën kundër terrorit dhe vendosjen e stabilitetit në Siri dhe Libi, do të vazhdojë qëndrimin e saj në këtë drejtim për sigurimin e paqes dhe mirëqenies në këto vende. Komunitetit ndërkombëtarë i është bërë ftesë që të hedhë hapa konkrete ndaj strukturave ilegale dhe organizatave terroriste si dhe ndaj aktorëve që mbështesin këto struktura dhe organizata, të cilat zhvatin lirinë dhe burimet e kombeve të shtypura”.

Top Channel