“Trafik droge, rrëmbim dhe vjedhje me dhunë”/ OFL zbarkon në Berat e Tiranë, ja kush janë 5 të targetuarit e radhës (Emrat)

25/09/2020 12:20

Operacioni Forca e Ligjit, i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, 5 personave të cilët kanë të shkuar kriminale.

Konkretisht, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve Tauland Starova, Marinelo Sula, Kliton Hoxha, Nderim Deliu, Gramos Toto.

Tauland Starova, banues në Tiranë, i dënuar në Zvicër, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

Marinelo Sula, banues në Urën Vajgurore, Berat, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”;

Kliton Hoxha, banues në Berat, i dënuar për veprën penale ’’Vjedhja me dhunë”;

Nderim Deliu, banues në Berat, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”;

Gramos Toto, banues në Berat, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel