SHBA do të sigurojë 720 milionë dollarë ndihmë për Sirinë

25/09/2020 12:39

SHBA njoftoi të enjten se do të sigurojë më shumë se 720 milionë dollarë ndihmë shtesë humanitare për Sirinë.

Kjo përfshin më shumë se 419 milionë dollarë nga Byroja e Asistencës Humanitare të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe më shumë se 301 milionë dollarë nga Byroja e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migrimit të Departamentit të Shtetit.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të mbetet i përkushtuar për të përmbushur nevojat në rritje të popullit sirian”, tha Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo në një deklaratë.

Diplomati i lartë po ashtu bëri thirrje për mbajtjen e regjimit të Bashar al-Assad “përgjegjës për fushatën e tij shkatërruese ushtarake dhe shpërfilljen brutale të të drejtave të njeriut, përfshirë ndalimin arbitrar të mbi 100 mijë civilëve sirianë, shumica dërmuese e vendndodhjeve të të cilëve aktualisht nuk dihet”.

Me këtë, Washingtoni ka siguruar më shumë se 12 miliardë dollarë që nga fillimi i krizës siriane.

Siria është shkatërruar nga lufta civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Asadit goditi protestuesit pro-demokracisë.

Qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe më shumë se 10 milionë janë zhvendosur, sipas OKB-së.

Top Channel