Nisma e qeverisë për të rritur pagën minimale nga 26 mijë lekë në nivelin e 30 mijë lekëve vlerësohet si pozitive nga ekspertët e ekonomisë.
Edhe pse situata në të cilën ndërmerret kjo iniciativë sipas Zef Preccit vjen si një premtim elektoral, ai shton se ndryshimi i këtij treguesi është një element i rëndësishëm që do të ketë ndikim të madh si në sistemin e pensioneve, ashtu edhe në nxitjen e konsumit në vend.
“Nisma është për t’u përshëndetur. Çdo fond që shkon për rritje të pagave vlerësohet dhe indeksimi i pagave duhet të bëhet çdo vit dhe duhet të jetë politikë e çdo qeverie. Iniciativa sigurisht pritet ti japë një nxitje të madhe konsumit në vend.”
Teksa një pjesë e komunitetit të sipërmarrjes nuk e kanë mirëpritur rritjen e pagës minimale duke argumentuar se kjo shton kostot për ta, për ekspertin Zef Precci bizneset duhet të përshtaten dhe tw mbështesin qeverinë.
“Ka ikur koha e informalitetit. Komuniteti i biznesit duhet të bëhet pjesë e kësaj iniciative dhe të mbështesë qeverinë. Ka ardhur koha që punonjësit të vlerësohen. Punonjësit nuk mund të trajtohen më si skllevër.”
Pavarësisht se paga minimale në vend ka pësuar disa herë rritje, sërish vijon të mbetet më e ulëta në Europë sipas Eurostat, me përjashtim të Kosovës e cila ka një pagë minimale prej 130 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata mbi këtë kufi moshe. Ndërsa Serbia rezulton vendi me pagën më të lartë minimale prej 308 euro.
Top Channel