Ministrja e re e Arsimit viziton gjimnazin në Fushë-Krujë në ditën e saj të parë në detyrë

25/09/2020 16:49
Ministrja Evis Kushi me nxënësit

Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi ka vizituar ditën e sotme gjimnazin “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë, një  shkollë pritëse për nxënësit e dy shkollave të tjera në ditën e saj te parë në post pas betimit në presidencë ditën e djeshme.

Ajo u ka uruar gjithë nxënësve një vit shkollor sa më të mbarë, ndërsa i ka këshilluar që të mbajnë maskë e të ruajnë distancën me njëri-tjetrin.

“Bashkë me kolegen time Eglantina Gjermeni ishim sot në gjimnazin “Bakushe Visha” në Fushë-Krujë, një  shkollë pritëse kjo edhe për nxënësit e shkollës së mesme të bashkuar “Selman Daci” dhe shkollës 9-vjeçare “Gjon Luka”. Aty është bërë një organizim shumë i mirë për vijimin e procesit mësimor edhe për këto dy shkolla të dëmtuara nga tërmeti. Duke uruar nxënësit për këtë vit shkollor, me ta bashkëbiseduam mbi ecurinë e deritanishme të procesit mësimor, “RTSH Shkollën” dhe platformën “Akademi.al”. Të gjithë bashkë ramë dakord se është e rëndësishme të mbajmë maskën, ruajmë distancën me njëri-tjetrin dhe respektojmë çdo masë tjetër që ka në fokus ruajtjen e shëndetit të tyre personalisht, mësuesve, prindërve e të afërmve të tyre gjithashtu”, shkruan Kushi.

Kujtojmë se Evis Kushi është në vend të Besa Shahinit, e cila dha dorëheqjen në ditën e parë të shkollës.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel