Pandemia me koronavirus ka shtuar një tjetër viktimë në listën e gjatë të ngjarjeve vjetore të anuluara apo të shtyra për shkak të shqetësimeve për përhapje të sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.

Karnavali i shkollave të sambas në Rio de Zhaneiro nuk do të mbahet në muajin shkurt, sipas Ligës së Shkollave të Sambas në këtë vend. Në njoftimin e 24 shtatorit, kjo Ligë ka thënë se caktimi i datës së re do të varet nga vaksina.

“Neve na duhet të presim muajt vijues për deficinion rreth asaj nëse do të ketë vaksinë apo jo dhe se kur do të ketë imunizim”, ka thënë presidenti i Ligës, Jorge Castanheira, para gazetarëve në Rio.

Kjo ngjarje tërheq miliona turistë nga gjithë Brazili dhe pjesa tjetër e botës çdo vit.

Spekulime ka pasur edhe më herët që autoriteteve do t’iu duhet të anulojnë apo shtyjnë këtë ngjarje, marrë parasysh se Brazili është duke tentuar të kontrollojë përhapjen e koronavirusit.

Ky vend deri më tani ka regjistruar 4.7 milionë persona të infektuar dhe gati 140,000 vdekje nga COVID-19.

Brazili njëherësh është vendi i dytë në botë për nga numri i viktimave, pas Shteteve të Bashkuara, të cilat sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, kanë regjistruar më shumë se 200,000 persona të vdekur me këtë virus.

Njoftimi për karnavalin në Rio ka ardhur teksa shumë shtete evropiane, duke përfshirë Francën, Britaninë dhe Spanjën kanë bërë të ditura kufizime të reja, për të parandaluar shpërthimet e reja të virusit.

Spanja, Izraeli, Argjentina dhe India kanë qenë shtetet me numrin më të madh të të infektuarve më 24 shtator.

Në gjithë botën, numri i të infektuarve me këtë virus ka arritur në 32 milionë.

Prej tyre, 981,000 pacientë kanë vdekur.

Top Channel