Takim në Stamboll/ Turqia e Greqia, gati për dialog

24/09/2020 11:59

Presidenca turke ishte e para, që pranoi se palët kanë rënë dakord që të bisedojnë për shpimet dhe kërkimet e gazit në pjesën lindore të Detit Mesdhe.

Ecuria e bisedimeve do të varet nga hapi i ardhshëm i Greqisë, mendon presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kumtoi zyra e tij. “Impulsi për shtendosje dhe dialog duhet të ketë për bazë hapat e përafrimit nga të dy palët.

“Më parë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Kishillit të BE, Charles Michel janë këshilluar në një videokonferencë për këtë çështje. Presidenti turk shpreson se samiti i BE në fillim të tetorit do t’i japë një “jetë të re” raporteve mes BE dhe Ankarasë, thuhet më tej.

Në samit do të flitet për vendosjen e mundshme të sanksioneve kundër Turqisë, për shkak të tensioneve në Mesdhe. Ministria e Jashtme greke ka konfirmuar se do të vazhdojnë negociatat e ndërprera me Ankaranë në vitin 2016. Takimi do të mbahet së shpejti në Stamboll. Këshillimet mes Athinës dhe Ankarasë kanë filluar të mbahen në vitin 1999, por me ndërprerje të shpeshta. Raundi i ri i bisedimeve do të jetë i 61 me radhë, thuhet në Athinë.

Erdogani ka propozuar mbajtjen e një konference rajonale ku do të përfshiheshin të gjitha palët e interesuara në këtë grindje, duke përfshirë edhe pjesën turke të Qipros. Një konferencë e tillë do të kishte influencë “pozitive dhe konstruktive” në situatën e tanishme në Mesdheun lindor”, tha Erdogan.

Presidenti turk foli për këtë konflikt edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB ku ai kërkoi një dialog “të vërtetë” për përfundimin e krizës.

Top Channel