Sindikata e mjekëve 90 minuta takim në Kryeministri, por cilat ishin kërkesat e tyre?

24/09/2020 14:39

Pas takimit në Kryeministri, sindikata e mjekëve morën mbështetjen e ministres Manastirliu për përmbushjen e 4 kërkesave të tyre.

Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor ka kërkuar përmbushjen e këtyre kërkesave prej institucioneve shtetërore, të cilat lidhen me kushtet ku punojnë si dhe me pagesat e tyre:

-Të shpallen dëshmorë të kombit të gjithë ata pjesëtarë të personelit shëndetësor të cilët humbin jetën në këtë luftë me këtë armik të padukshëm.

-Të bëhet sigurimi i jetës së personelit shëndetësor, me qëllim që familjet e tyre të mund të vazhdojnë jetën dhe pas fatkeqësive të mundshme në këtë luftë.

-Rritje e vlerësueshme e trajtimit financiar të personelit shëndetësor.

-Personelit shëndetësor të çdo niveli t’i sigurohen të gjitha kushtet në punë për parandalimin e infeksionit sipas të gjithave standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Më konkretisht, ata kërkojnë që, mjekët të cilët humbin jetën në krye të detyrës të shpallen dëshmorë të kombit, rritje të pagave, sigurimin e jetës së personelit shëndetësor dhe tu sigurohen të gjitha kushtet në punë.

Në foton e mëposhtme, njoftimi për shtyp i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor:

Këto kërkesa Sindikata ja adresoi pozitës dhe opozitës si pjesë e aktive e politikës, presidentit dhe kryeministrit si pjesë e zgjidhjes së tyre.

Në njoftim thuhej se, në mungesë të përgjigjes, Sindikata do të përshkallëzonte aktivitetin e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Top Channel