Shifrat e Covid-19 janë në rënie, Zelanda e Re heq maskat

24/09/2020 01:04

Maskat nuk janë më të detyrueshme në pjesën më të madhe të Zelandës së Re ku shifrat e Covid-19 vazhdojnë të jenë në rënie. I fundit që rrëzon detyrimin e mbulimit të fytyrës është Auckland, i cili ka qenë zemra e një shpërthimi të ri epidemik.

Pjesa tjetër e vendit i hoqi kufizimet e pandemisë të hënën pasi nuk regjistroi asnjë rast të ri për një javë. Auckland ende përballet me disa masa por i ka lehtësuar rregullat për të lejuar grumbullimin e deri në 100 personave.

Zelanda e Re u vlerësua gjerësisht për reagimin e saj të shpejtë ndaj Covid-19 dhe jeta u rikthye shpejt në normalitet pasi ky shtet e deklaroi veten pa virus në qershor. Por një valë e dytë goditi Auckland në gusht dhe qyteti më i madh i vendit iu kthye izolimit, ndërsa edhe në zona të tjera pati kufizime.

Kudo me përjashtim të Auckland, u rikthye niveli një i alarmit, më i ulëti në sistemin me katër nivele, pas shtatë ditësh që nuk është shënuar asnjë infektim. Kjo nënkupton rikthimin pothuajse në jetën normale të popullatës, që do të thotë jo më distancim social apo ndalim të grumbullimeve për dasma apo evente sportive.

Top Channel