Rasti Breonna Taylor: Një zyrtar policor akuzohet për bastistjet që rezultuan me fatalitet

24/09/2020 05:05

Një juri e përbërë nga një grup qytetarësh në Shtetet e Bashkuara, të cilët sipas ligjit kanë fuqi që të nisin procedura ligjore dhe të hetojnë krime potenciale penale, ka akuzuar një zyrtar policor të bardhë për të shtënat kundër të ndjerës Breonna Taylor në shtëpinë e saj në Kentaki.

Taylor, afrikano-amerikane, 26-vjeçare, teknike në një dhomë të emergjencës në spital, është qëlluar disa herë gjatë një bastisjeje policore më 13 mars të këtij viti. Vdekja e saj është kthyer në një prej çështjeve kyçe në protestat kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara, në të cilat është bërë thirrje që tre zyrtarët policorë të përfshirë në këtë rast, të arrestohen dhe të dënohen. Zyrtarët amerikanë më herët janë pajtuar që t’i paguajnë familjes së saj 12 milionë dollarë dëmshpërblim.

Zyrtari policor, Brett Hankison, është ngarkuar me tre akuza për “rrezikim të paarsyeshëm” gjatë të shtënave. Ai është përjashtuar nga Departamenti i Policisë në Luisvill, pasi hetuesit kanë gjetur se ai “ka shtënë 10 herë, pa shkak dhe verbërisht” brenda në apartament, bazuar në letrën e tij të shkarkimit. Dy zyrtarë tjerë policorë që kanë shtënë atë natë, Jonathan Mattingly dhe Myles Cosgrove, nuk janë akuzuar. Taylor ka qenë në shtëpinë e saj më 13 mars, kur zyrtarët policorë kanë hyrë në apartament pak pas mesnatës, ka thënë familja e saj.

Zyrtarët për narkotikë kanë bastisur vendbanimin e saj, mirëpo nuk kanë gjetur ndonjë lloj droge aty. Taylor, mes tjerash, nuk ka pasur histori kriminale. Policia ka kryer një lloj të kërkimit të njohur si “kërkim pa trokitje”, që u mundëson zyrtarëve policorë të hyjnë brenda një shtëpie pa paralajmërim. Zyrtarët policorë besojnë se kanë trokitur dhe kanë njoftuar para hyrjes brenda, mirëpo familja dhe fqinjët e Taylorit kanë mohuar këtë gjë.

Në atë kohë, Taylor ka qenë bashkë me të dashurin e saj Kenneth Walker, që ka pasur leje për të mbajtur armë. Walker thuhet të ketë besuar se dikush po tenton të hyjë në shtëpi dhe më vonë i ka thënë policisë dhe ka shtënë një herë me armë zjarri. Zyrtarët thonë se plumbi i Walkerit ka plagosur një zyrtar policor, i cili më vonë i është nënshtruar operimit. Tre zyrtarët policorë më pas kanë qëlluar më shumë se 20 herë me armë zjarri në banesë. Taylor është qëlluar disa herë dhe ka vdekur në ambiente të apartamentit, kanë thënë avokatët e familjes së saj./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA