Suksesi i suplementëve të vitaminave dhe mineraleve varet nga disa strategji të thjeshta, sipas ekspertëve të AgroWeb.org. Në këtë artikull do të mësoni për mënyrat e sakta të përdorimit të vajit të peshkut dhe suplementëve të tjerë, që ato të shpalosin plotësisht vlerat e tyre në organizëm.
Vaji i Peshkut
Zakonisht vaji i peshkut mund të pihet në çdo orar të ditës. Gjithsesi, mjekët këshillojnë që të pihet pasi keni ngrënë ose gjatë ngrënies së një vakti. Marrja e këtij suplementi me stomak bosh mund të shkaktojë të përziera. Gjithashtu vitaminat yndyrore, siç është edhe vaji i peshkut, përthithen më lehtë nga organizmi nëse shoqërohen me ushqim.
Vitaminat Duhen Shoqëruar Me Ushqim
Suplementët, me përjashtim të hekurit, duhen marrë gjithmonë gjatë një vakti, sepse nxisin disa procese në stomak që lejojnë përthithjen maksimale edhe të vitaminave dhe mineraleve nga ushqimet. Suplementët e hekurit duhen marrë në mëngjes me stomakun bosh për përthithje më të mirë.
Koha E Duhur Për Vitaminat dhe Mineralet
Të gjitha vitaminat e kompleksit B duhen marrë në mëngjes sepse japin shumë energji. Kjo vlen për shumë vitamina të tjera por në rastin e magnezit ai duhet marrë në mbrëmje përpara gjumit.
Kujdes Me Ilaçet e Tjera
Ka raste kur vitaminat dhe mineralet ndërveprojnë keqazi me disa barna. Për shembull, kalçiumi mund të ndërhyjë në përthithjen e barnave për tiroiden, ndaj gjithmonë duhet të konsultoheni me mjekun.
Vitaminat Që Treten Në Ujë dhe Në Yndyrë
Përpara marrjes së suplementëve, sigurohuni të bëni dallimin mes vitaminave që treten në ujë e ato që treten në yndyrë. Vitaminat A, D, E dhe K treten në yndyrë dhe nëse akumulohen gjatë në trup mund të jenë të dëmshme. Këto vitamina duhen marrë në mëngjes nëse pini qumësht, kos ose hani avokado Vitaminat e kompleksit B dhe vitaminë C treten në ujë dhe dalin nëpërmjet urinës ndaj rreziku i akumulimit të tyre është thuajse zero.
Formati i Duhur i Vitaminave
Nëse vitamina merret në formën e kapsulës, organizmi e ka më të vështirë ta tresë dhe ta përthithë. Ndaj është më mirë që disa suplementë të merren në formë të lëngshme.
Vitaminat Që Mund Të Kombinohen
Vitaminat D, K dhe kalçiumi mund të kombinohen dhe të merren së bashku. Hekuri kombinohet mjaft mirë me vitaminën C sepse kjo e fundit ndihmon në përthithjen maksimale të hekurit. Kalçiumi nuk duhet marrë në të njëjtën kohë me hekurin sepse pengon funksionin e tij. Ndaj hekuri duhet marrë në mëngjes dhe kalçiumi pasdite. Njeriu duhet të tregojë kujdes edhe me vitaminën C e cila del nga urina dhe të sigurohen të marrin sasi të mjaftueshme të saj.
Konsulta me Mjekun dhe Analizat e Gjakut
Mënyra më e mirë për të përcaktuar nevojat për suplementë të trupit është të kryeni një analizë gjaku. Kësisoj do të keni një ide mjaft të qartë se çfarë suplementësh duhet të merrni.
Ku T’i Ruani Vitaminat dhe Mineralet?
Probiotikët duhen ruajtur në frigorifer. Vaji i peshkut duhet mbajtur në një vend të ftohtë e të errët sepse në të kundërt pilulat nuk do të jenë efikase.
Po Kafeja?
E fundit, por jo për nga rëndësia, është që duhet të tregoni kujdes me kafenë. Ajo ndikon në mënyrën e përthithjes së vitaminave dhe minerale dhe nxit urinimin e nëpërmjet tij daljen nga organizmi të suplementëve./AgroWeb
Top Channel