Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Mblidhet grupi i punës, diskutojnë propozimet e mbërritura në kuvend

24/09/2020 13:01

Gjatë mëngjesit të kësaj të enjteje është zhvilluar mbledhja e grupit të punës për hartimin dhe propozimin e amendamenteve që reflektojnë ndryshimet Kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Të tre anëtarët e grupit, deputetët Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka dhe Korab Lita  janë njohur  me propozimet e mbërritura në Kuvend, konkretisht ai i Partisë Socialiste dhe disa amendamente të artikuluara nga Grupi Demokrat.

Përfaqësuesi i opozitës parlamentare z.Korab Lita ka shprehur disa rezerva mbi propozimet e paraqitura dhe kërkoi më shumë kohë në dispozicion për të depozituar në këtë grup pune propozimet e tij në emër të opozitës parlamentare.

Grupi ka rënë dakord që të vazhdojë punën dhe të rimblidhet gjatë pasdites së sotme për tu njohur me propozimet e z.Lita, në kërkim të arritjes së konsensusit sa më të gjërë për amendamentet e Kodit Zgjedhor.

Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike i ka lënë afat këtij grupi pune datën 30 Shtator për të përmbyllur draftin.

Top Channel