Lehtësohen profesionet e lira/ Heqja e taksave, kontabilistët: Mund të abuzojë biznesi i madh

24/09/2020 15:19

Profesionet e lira janë kategoria kryesore që pritet të përfitojë nga masat e qeverisë për lehtësimin e barrës fiskale me zerimin e tatim fitimit dhe atë të TVSH-së për bizneset e vogla.

I këtij mendimi është eksperti për çështjet fiskale, Enkelejd Dyrmishi, sipas të cilit nisma i jep frymëmarrje sipërmarrjes së vogël, por krijon shtrat për evazion nga të mëdhenjtë.

Enkelejd Dyrmishi, ekspert për çështjet fiskale: Profesionet e lira janë kategoria që përfitojnë më së shumti nga zerimi i këtyre taksave. Mbetet për t’u parë impakti që do të ketë nisma. Por, rreziku për evazion nga kompanitë e mëdha është i madh, pasi do tentojnë copëzojnë aktivitetin.

Sipas Dyrmishit emergjente në këtë moment është ndërmarrja e një politike fiskale që synon uljen e tatimit mbi të ardhurat personale për individët, si një instrument për të nxitur konsumin.

Enkelejd Dyrmishi: Mendoj se në këtë moment pandemie kur ekonomia gjendet në vështirësi, nevojitet një ndërhyrje veçanërisht në uljen e tatimit mbi të ardhurat personale, për të nxitur konsumin dhe gjallëruar ekonominë e vendit.

Aktualisht, individët që përfitojnë një pagë nga 30 mijë deri në 150 mijë lekë tatohen në një masë prej 13% , teksa ato që kapërcejnë këtë kufi duhet të paguajnë një normë prej 23% tatim mbi të ardhurat personale. Ndërkohë, pritet që brenda vitit, qeveria të miratojë edhe rritjen e pagës minimale nga 26 mijë lekë në 30 mijë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA