Një zyrtar i Koresë së Jugut i zhdukur u qëllua për vdekje nga Koreja e Veriut dhe trupi i tij u dogj, deklaroi sot Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut.
Ministria tha se një zyrtar i lidhur me Ministrinë e Oqeaneve dhe Peshkimit të Koresë së Jugut u zhduk nga një anije në ujërat jashtë ishullit kufitar perëndimor Yeonpyeong të hënën, sipas Agjencisë së Lajmeve Yonhap.
“Koreja e Veriut e gjeti burrin në ujërat e saj dhe kreu një akt brutaliteti duke qëlluar mbi të dhe duke djegur trupin e tij, sipas analizës së plotë dhe shumë dimensionale të inteligjencës së ushtrisë sonë të”, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
“Ushtria jonë dënon ashpër aktin e tillë brutal dhe nxit fuqimisht Korenë e Veriut të japë shpjegim dhe të ndëshkojë personat përgjegjës. Ne gjithashtu paralajmërojmë ashpër Korenë e Veriut se të gjitha përgjegjësitë për këtë incident bien mbi të”.
Zyrtarët e Koresë së Jugut besojnë se personi i zhdukur u hodh në det në një përpjekje të dyshuar për t’u larguar në Veri dhe kishte hyrë në ujrat e Koresë së Veriut, thuhet në raport.
Qytetari duket të ketë shprehur dëshirën e tij për t’u larguar në Veri, citohet të ketë thënë një zyrtar i Shtabit të Përgjithshëm të Përbashkët të Koresë së Jugut.
“Ushtarët e Koresë së Veriut më pas e qëlluan atë dhe i derdhën vaj mbi trupin e tij për ta djegur atë”, tha ai, duke pretenduar se akti është kryer me “urdhra nga autoritetet e larta”.
Kjo është hera e parë në mbi 12 vjet që një koreanojugor është qëlluar për vdekje në Korenë e Veriut, sipas raportit të Yonhap.
Incidenti ka të ngjarë të çojë në përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve midis dy fqinjëve, të cilat kohët e fundit janë ndezur për shkak të fletushkave propagandistike të dërguara në Veri nga Koreja e Jugut dhe çuan në atë që Pheniani të hedhë në erë Zyrën ndërlidhëse ndër-koreane në rrethin e saj kufitar Kaesong në qershor. /AA/
Top Channel