Kreu i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha të mërkurën se ” vendimet e kësaj agjencie do të udhëhiqen nga shkenca” kur bëhet fjala për të vendosur nëse do të jepet autorizim i plotë apo për përdorim urgjent, për vaksinën kundër koronavirusit.
Duke folur para komisionit të Senatit për Shëndetësinë, Arsimin, Punën dhe Pensionet, doktor Stephen Hahn tha se këto vendime do të merren nga shkencëtarë karriere të kësaj agjencie bazuar “në standardet e rrepta të agjencisë për të garantuar siguri dhe efektivitet”. Zoti Hahn u zotua se procesi i miratimit do të jetë “transparent dhe i pavarur” dhe se FDA-ja nuk do të autorizojë një vaksinë për të cilën stafi i saj nuk do të ndihej rehat për t’ua dhënë familjarëve të tyre. Duke folur gjatë së njëjtës seancë dëgjimore, eksperti i lartë amerikan i sëmundjeve infektive doktor Anthony Fauci, tha se ndërsa disa vaksinat potenciale që luftojnë koronavirusin po i nënshtrohen provave klinike në shkallë të gjerë, zyrtarët parashikojnë që deri në nëntor ose dhjetor të dinë nëse do të ketë një vaksinë të sigurt dhe efektive. Por zoti Fauci paralajmëroi se megjithëse ekziston optimizëm rreth vaksinave kandidate “nuk ka kurrë garanci” se do të gjendet një që funksionon.
Ai gjithashtu theksoi nevojën e kombinimit të çdo programi për prodhimin e një vaksine me këshillat ekzistuese për të ndalur përhapjen e virusit, të tilla si mbajtja e maskave dhe distancimi fizik. “Kemi një qëndrim të fortë se nëse ka një kombinim mes respektimit të masave të shëndetit publik, së bashku me një vaksinë që do t’u shpërndahet njerëzve në këtë vend dhe në të gjithë botën, mund të jemi në gjendje ta ndalim këtë pandemi të tmerrshme që po përjetojmë”, tha zoti Fauci. Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë me planin për të prodhuar doza nga disa prej atyre që konsiderohen si vaksina kandidate e që aktualisht po i nënshtrohen provave klinike, në mënyrë që nëse ato do të miratohen, të bëhen të disponueshme për publikun sa më shpejt.Doktor Robert Redfield, drejtori i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u tha ligjvënësve se vendi ka përjetuar mesatarisht rreth 40,000 infeksione të reja në ditë dhe 800 vdekje gjatë javës së kaluar dhe se të prekurit tashmë janë mosha të reja.
Zoti Redfield tha se të rinjtë mes moshës 18 dhe 25 vjeç përbëjnë 26 për qind të infeksioneve të reja, më shumë se çdo grup tjetër. Ai shtoi gjithashtu se agjencia e tij ka kryer testime në shkallë të gjerë në të gjithë vendin të për të identifikuar antitrupa dhe antigjene, me rezultate paraprake që tregojnë se më shumë se 90 përqind e amerikanëve nuk janë infektuar me koronavirus dhe se ata mbeten të ndjeshëm ndaj tij. Zoti Redfield tha se pret që rezultatet të finalizohen e publikohen javën e ardhshme. Në SHBA të mërkurën u regjistruan rreth 6.9 milionë raste me koronavirus dhe më shumë se 200 mijë të vdekur, që e rendisin atë si vendin e parë në botë.
India renditet e dyta me 5.6 milionë të infektuar, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins. Prej javësh ky vend është përballur me raste të reja në rritje më shumë se çdo vend tjetër i botës. Vendi shënoi një rënie të martën, por situata u përmbys shpejt me më shumë se 83’000 raste të reja të raportuara nga zyrtarë indianë të shëndetësisë të mërkurën. Ndërkohë në Britani Kryeministri Boris Johnson u zotua të mërkurën për të ndihmuar kompanitë që të mos i mbyllin vendet e punës për shkak të pandemisë. “Këto janë kohë të vështira dhe nuk kam dyshim se shumë biznese, shumë punonjës po ndiejnë ankth e pasiguri të madhe. Ne do të bëjmë më të mirën për t’i mbrojtur ata gjatë gjithë kësaj periudhe”, tha ai gjatë një fjalimi në parlament.
Në Kanada Kryeministri Justin Trudeau publikoi planin e tij të rimëkëmbjes ekonomike të mërkurën në një përpjekje për të balancuar rritjen e aktivitetit ekonomik duke mbajtur gjithashtu në fuqi masat e nevojshme për të ndaluar përhapjen e virusit. Zyrtarët thanë se propozimet e zotit Trudeau përfshijnë adresimin e kujdesit për fëmijët dhe zgjerimin e siguracionit në rast papunësie. Kanadaja raportoi 1’200 raste të reja të martën. Zyrtarë thanë se vendi ndodhet në një “udhëkryq” në trajtimin e pandemisë.
Në Japoni, organizatorët e Lojërave Olimpike të cilat janë shtyrë tashmë, thanë se kur ngjarja sportive të zhvillohet vitin e ardhshëm, plani është që atletët që mbërrijnë nga vendet e tjera t’i nënshtrohen testimeve për koronavirus, por jo një periudhe karantine dy-javore. Zyrtarët u thanë gazetarëve të mërkurën se udhëzimet janë ende në diskutim dhe se ata shpresojnë që t’i finalizojnë ato deri në dhjetor./VOA
Top Channel