Rekord viktimash në SHBA/ Betejën me Covid e kanë humbur mbi 200 mijë persona që nga nisja e pandemisë

23/09/2020 01:44

Numri i viktimave nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara kapërceu 200 mijë, dhe bilanci i të infektuarve vetëm vazhdon të rritet në vendin më të prekur nga koronavirusi në botë.

Të dhënat e universitetit Johns Hopkins tregojnë se mbi 6.8 milionë njerëz në SHBA janë diagnostikuar tashmë me sëmundjen që ka gjunjëzuar pjesë të ndryshme të globit. Rasti i parë me koronavirus në SHBA u konfirmuan ne muajin në janar, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli pandeminë në mesin e marsit.

Administrata e presidentit Trump është kritikuar vazhdimisht për trajtimin e pandemisë. “Për shkak të gënjeshtrave dhe paaftësisë së Donald Trumpit në gjashtë muajt e fundit, ne kemi parë këtë nivel jetësh të humbura SHBA”, deklaroi një ditë më parë kandidati demokrat për president të SHBA-së, Joe Biden. Por Trump tha se ai dhe administrata e tij kanë bërë “një punë fenomenale” dhe i dha vetes një “A +” për trajtimin e pandemisë.

Deri tani koronavirusi ka prekur mbi 31 milionë njerëz në të gjithë botën, nga të cilët kanë ndërruar jetë më shumë se 966 mijë vetë e mbi 21 milionë janë shëruar.

Top Channel