KE propozon një rregullim të sistemit të migrimit dhe azilit në BE

23/09/2020 10:40

Komisioni Europian do të propozojë një rregullim të shumëpritur të sistemit të migrimit dhe azilit të BE, ku ka të ngjarë të shkaktohet një debat shpërthyes mbi atë që është një nga çështjet më të ndjeshme politikisht të bllokut.

Sistemi i migrimit në BE ka qenë nën presion në rritje në vitet e fundit, me pengesa që formohen në kufijtë e tij të jashtëm.

Sipas rregullave aktuale të BE, vendi ku migrantët mbërrijnë për herë të parë, duhet të përpunojë kërkesat e tyre për azil dhe kjo do të thotë që vendet me kufij të jashtëm mbajnë një barrë joproporcionale.

Ndërsa disa vende mbështesin një mekanizëm për të rishpërndarë automatikisht azilkërkuesit, të tjerë si Hungaria, Republika Çeke dhe Austria janë plotësisht kundër kësaj.

Aktivistët e të drejtave të njeriut janë të shqetësuar se masat e reja mund të shohin një shtrëngim të rregullave të azilit, duke përfshirë një rritje të ndalimeve në kufijtë e BE-së.

Me propozimet që synojnë të provokojnë konfrontime midis vendeve të BE, nuk është aspak e sigurt se ato do të miratohen nga udhëheqësit e BE dhe Parlamentit Europian, pasi përpjekjet e mëparshme kanë dështuar.

Sipas regjistrit të dokumenteve të Komisionit, organi ekzekutiv i BE do të duhet të propozojë një numër rregullash të reja dhe të ndryshuara, duke përfshirë shqyrtimin e azilkërkuesve dhe situatat e krizës.

Pas zjarrit katastrofik më parë këtë muaj në kampin Moria në ishullin grek të Lesbos, i cili priti rreth 12 000 njerëz, komisioni pritet gjithashtu të propozojë një mekanizëm solidariteti për kohë krize.

Komisioni tashmë ka theksuar se solidariteti mund të nënkuptojë jo vetëm mirëseardhjen e migrantëve, por gjithashtu, edhe dërgimin e pajisjeve mjekësore.

Top Channel