“Dora e ndyrë që…”/ Erdogan kritika ndaj Izraelit, përfaqësuesi izraelit në OKB largohet nga salla

23/09/2020 16:47

Kritikat e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ndaj Izraelit në fjalimin e tij të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) bënë që përfaqësuesi izraelit në OKB të largohet nga salla.

Përfaqësuesi i përhershëm i Izraelit në OKB, Gilad Erdan u largua nga salla, teksa presidenti Erdoğan foli nëpërmjet video-mesazhit në sesionin e 75-të të AP-së së OKB-së në temën për “Politikat e presionit, dhunës dhe frikësimit” të Izraelit kundër Palestinës.

“Dora e ndyrë që zgjatet mbi privatësinë e Kudsit, e cila është shtëpia e tre feve të mëdha të shenjta, po e rrit gjithmonë e më shumë guximin e saj. Populli i Palestinës prej një kohe të gjatë për më shumë se një gjysëm shekulli po i reziston politikave të Izraelit të shtypjes, dhunës dhe frikësimit. Kur dokumenti i dorëzimit, i cili u përpoq t‘i imponohej palës palestineze nën emrin “Marrëveshja e Shekullit” u refuzua, Izraeli përshpejtoi përpjekjet për të pushtuar kalanë nga brenda me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij”, tha Erdoğan duke shtuar:

“Ne si Turqi nuk do të mbështesim asnjë plan pa pëlqimin e popullit palestinez. Bashkangjitja e disa vendeve të rajonit në këtë lojë nuk është asgjë tjetër përveçse shërbim ndaj përpjekjeve të Izraelit për të gërryer (ezauruar) parametrat ndërkombëtare. Vendet që kanë deklaruar qëllimin e tyre për të hapur ambasadë në Kuds në kundërshtim me rezolutat e OKB-së dhe ligjin ndërkombëtar, me këtë qëndrim të tyre shërbejnë vetëm për ta bërë konfliktin edhe më të komplikuar”.

Më tej presidenti Erdoğan theksoi se “çështja palestineze mund të zgjidhet vetëm me krijimin e një shteti të pavarur palestinez, sovran dhe gjeografikisht të vazhdueshëm mbi bazën e kufijve të vitit 1967 me kryeqytet Kudsin Lindor. Zgjidhjet tjera përveç kësaj janë të kota, të njëanshme dhe të padrejta”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA