Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim në selinë e PD-së me mjekët duke prekur kryesisht situatën e vështirë që po kalon vendi ynë nën ndikimin e COVID-19.
Ai tha se situata në vendin tonë është në prag të katastrofës për shkak të pandemisë. Basha tha se qeveria shqiptare duhet të zgjohet nga narkoza, sepse nuk do të kemi një valë të dytë por jemi akoma në valën e parë.
“Kemi kërkuar që të merren masa, me qëllim shmangien e mbivendosjes me Covid. Simptomat të gripit paraprak e COVID-it janë të njëjta. Kërkuam testim për mësuesit, nuk na dëgjoi njeri. Mësuesit në Kosovë janë testuar, kanë një mënyrë të rregull periodike. Askush se mori parasysh këtë. Situata paraqitet në prag të katastrofës. Kjo mbledhje nuk është pe parakohshme, jemi futur në garë me kohën. Është e pafalshme që 6 muaj pas nisjes së pandemisë askush, as ju si mjekë, s’kanë asnjë informacion se çfarë masash janë marrë dhe çfarë dështimesh janë nxjerrë. Kaq e pranojnë nën zë dhe autoritetet më të larta të qeverisë. Njerëzit po flasin për një valë të dytë, s’ka valë të dytë. Jemi në bishtin e valës së parë. Ju kërkoj që e gjithë ekspertiza dhe konstatimet që kemi bërë gjatë kësaj kohe, të përfundoj në një dokument konciz pune, një plan veprim që do t’ia paraqesim politikisht si opozitë qeverisë. Pavarësisht se çfarë ka ndodhur deri tani, nuk është momenti të ngremë gishtin. Për t’i zgjuar nga narkoza e thellë ku ka rënë qeveria, ministria e Shëndetësisë, ku prevalon jeta e njerëzve. Ka kohë për t’u marrë me përgjegjësitë e deritanishme dhe të këtij momenti”, tha Basha gjatë takimit.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se mjekët po punojnë në kushte shumë të këqija dhe se jeta e tyre nuk është e mbrojtur. Ai gjithashtu ripërsëriti se numri i testimeve duhet të rritet deri në 2500 në ditë.
“Spitalet nuk kanë kushtet minimale. Kanë ikur shumë mjekë. Paketa e ndihmës 1 mijë euro për mjek ka qenë diskriminuese. Minimumi është t’u jepet siguri familjarëve të mjekëve. Mjeku i familjes nuk ka protokoll mjekim standard dhe nuk është futur si një pjesë integrale e shëndetësisë. Fuqizimi i mjekut të familjes është një nga rekomandimet e para. E dyta është rimbursimi për diagnozën për të gjithë pacientët me Covid. Vazhdojnë mungesat në spitale.. Rritja e kapaciteteve testuese 5 herë të kemi të paktën 2500 testime në ditë”, tha kreu i PD-së.
Kujtojmë se mjekët paralajmëruan protestë ditën e nesërme për shkak të kushteve me të cilat po përballen në këtë kohë pandemie, ndërsa kryeministri Edi Rama i kërkoi takim në zyrën e tij.
Top Channel