Zëvendësi i Ginsburg-ut/ Trump do ta zgjedhë këtë javë

22/09/2020 12:20

Presidenti Donald Trump tha se do të emërojë një zëvendës të Ruth Bader Ginsburg deri në fund të javës dhe i kërkoi senatit të kontrolluar nga republikanët të konfirmojnë zgjedhjen e tij për Gjykatën e Lartë para 3 nëntorit.

Plani ka ndezur një betejë të ashpër para zgjedhjeve. Trump do të zëvendësojë Ginsburgun, një gjykatëse liberale që u nda nga jeta të premten, në moshën 87-vjeçare me një konservator. Presidenti duket se ka siguruar mbështetje të mjaftueshme në senatin amerikan për të fituar miratimin për të përzgjedhurin e tij.

Kjo do të çimentonte një shumicë konservatore në gjykatë për dekada të tëra. Balanca ideologjike e gjykatës me nëntë anëtarë është e rëndësishme për shkak të vendimeve të saj për cështjet më të rëndësishme në SHBA. Të hënën, Trump tha se ai ishte i detyruar nga kushtetuta të nominonte një kandidat për Gjykatën e Lartë.

“Ne po shohim disa juristë, femra, që janë të gjitha të jashtëzakonshme në çdo mënyrë”.

Më herët presidenti pati edhe një takim privat në Shtëpinë e Bardhë me një të nominuar të mundshme, Amy Coney Barret, një gjykatëse e gjykatës së apelit që mbështetet nga konservatorët antiabort. Pasi presidenti bën zgjedhjen e tij, është detyrë e senatit të votojë nëse do ta konfirmojë apo jo në post.

Komisioni i Drejtësisë do ta shqyrtojë fillimisht përzgjedhjen dhe më pas do të vendosë për ta dërguar atë në senat për votim të plotë.

 

 

 

 

 

 

 

Top Channel