Stomaku i fryrë dhe dhimbjet e barkut, janë me siguri një ndër simptomat më të sikletshme që mund të përjetohen. Jo vetëm sepse janë shumë të dukshme, por rëndojnë ndjeshëm të gjithë organizmin. Duke ndikuar kështu edhe në kryerjen e aktiviteteve të përditshme me lehtësi.

Nëse përjetoni shpesh episode të barkut të fryrë edhe pse konsumoni ushqime të shëndetshme, disa prej tyre mund të jenë duke j’ua shkaktuar këtë problem. Në këtë artikull do të gjeni të shpjeguar se përse ndiheni vazhdimisht të fryrë në zonën e barkut.

Çfarë e Shkakton Fryrjen
Ndonëse nuk është ndonjë mister i madh që sa më shumë ushqim të konsumoni aq më shumë do të fryhet barku dhe stomaku juaj, disa ushqime në veçanti janë problematike. Ushqimet e konservuara, të skuqurat, brumërat apo sheqernat efektin e tyre të parë e tregojnë me shtimin në peshë. Për të evituar këtë sigurisht rekomandohen fruta perimet si ndër ushqimet më të shëndetshme. Gjithsesi edhe disa prej tyre mund të shkaktojnë fryrje të barkut megjithëse nuk ju shëndoshin. Më poshtë i gjeni të listuara disa prej tyre që e shkaktojnë më shumë këtë gjendje.

Mollët dhe Dardhat
Shumë të shëndetshme dhe të pasura në vitamina, mollët dhe dardhat kanë një efekt anësor në trup. Duke qenë të pasura me fibra ato janë më të vështira për t’u tretur dhe do të qëndrojnë në stomak për një kohë më të gjatë. Nëse ndjeni stomak dhe bark të fryrë pasi i keni konsumuar këto dy fruta, kujdesuni që t’i prisni në copa të vogla para se t’i konsumoni.

Misrat
Megjithëse shumë e duan shijen e veçantë të misrit për ta konsumuar gjatë ditës, kur vjen puna tek tretja e mirë gjërat bëhen të vështira. Misri është një burim shumë i madh fibrash dhe kokrrat e forta të tij ndonjëherë janë të vështira për t’u tretur. Gjithashtu është i pasur me karbohidrate të cilat trupi nuk i tret lehtësisht duke shkaktuar fryrjen e barkut.

Lulelakra dhe Brokoli
Burime të jashtëzakonshme të vitaminës C dhe shumë të vlefshme për trupin, perimet si brokoli apo lakra kanë dhe anët e tyre negative. Ato përmbajnë disa enzima të cilat organizmi i njeriut i njeh dhe i tret me vështirësi. Në këtë mënyrë stomaku sforcohet duke shkaktuar fryrjen e barkut. Këto perime janë të rëndësishme për trupin dhe duhen konsumuar, por kujdesuni t’i përtypni mirë dhe t’i konsumoni në porcione të vogla.

Bishtajorët
Fasulet, thjerrëzat dhe e gjithë familja e bishtajorëve janë të njohur për ndjesinë e fryrjes që shkaktojnë. Kjo pasi janë të pasura me enzima dhe sheqerna që trupi has vështirësi t’i përpunojë në një kohë të shkurtër./AgroWeb

Top Channel